Rama: Nga janari paga minimale 500 euro, sjell rritje të zhinxhirit të pagave

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se deri në fund të këtij mandati qeverisës paga minimale do të rritet në 700 euro, duke sjellë rritje të mëtejshme në strukturën e pagave të sektorit publik dhe privat.
Në një dëgjesë me banorët e njësisë nr. 3 në Tiranë mbi projektbuxhetin 2026, Rama theksoi se nga janari i vitit që vjen paga minimale për të gjithë shqiptarët që jetojnë me punë dhe sot e kanë 400 euro do të shkojë në 500 euro.
“500 euro do të jetë paga minimale jo vetëm e atyre që punojnë në sektorin publik, por për të gjithë shqiptarët që punojnë. Paga minimale 500 euro është vetëm hapi i parë i mandatit të ri sepse brenda mandatit të katërt jemi zotuar ta çojmë pagën minimale 700 euro”, tha Rama.
Kjo sipas tij, do të realizohet hap pas hapi gjatë këtij mandati, ndërkohë që për shkak të rritjes së pagës minimale do të rriten edhe pagat e tjera në sektorin publik, por edhe në sektorin privat.
“Pagat do të rriten për mësuesit, mjekët dhe infermierët, ushtarakët dhe gjithë të tjerët duke filluar nga ata që marrin pagë minimale, që nga janari do ta kenë pagën 500 euro”, u shpreh Rama.
Kryeministri informoi se për sektorin privat, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 9 muajt e parë do t’i paguaj qeveria, që paga të merret e plotë nga punonjësit pa krijuar një shqetësim në aspektin financiar për kompanitë. Ndërkohë, sipas tij, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk do të mungojnë për asnjë muaj.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria është vendi me taksa më të ulëta në gjithë rajonin dhe do të vazhdojë me këtë politikë. /j.p/