E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Institut për fëmijët në konflikt me ligjin, program në spitalin pediatrik për të çuar shkollën te fëmijët

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria po punon për ndërtimin e një instituti, i cili do të ndihmojë në rehabilitimin e fëmijëve që kanë kryer krime, për të cilat do të duhet të bënin burg.

Gjatë një takimi me prindër dhe mësues, për të shpalosur planin e veprimit për të rritur sigurinë në shkolla, Rama theksoi se ky institut do të shërbejë për riedukimin e këtyre fëmijëve.

“Jemi në proces për të ndërtuar institutin e fëmijëve në konflikt me ligjin, një model i shkollës së riedukimit për ata fëmijë që kanë kryer një vepër që në rast se do të ishin të rritur do të shkonin në burg, por që nuk mund të shkojnë në burg”, u shpreh Rama.

Sipas tij, burgu do t’u shkaktonte atyre dëme të mëdha në aspektin psikologjik.

Kryeministri po ashtu bëri të ditur se së shpejti në spitalin pediatrik do të ndërtohet një program për të çuar shkollën te fëmijët.

“Pra fëmijët në spital të kenë mundësinë të bëjnë edhe shkollë, kuptohet, me një program të lehtësur etj, që është një model i shkëlqyer që e kemi marrë nga Izraeli dhe që po e përgatisim së bashku me miqtë nga Izraeli”, tha Rama.

Rama po ashtu vuri theksin në faktin se çdo institucion apo ministri, duhet të ketë programin e vet për fëmijët. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›