Rama: Investimi në Zvërnec po bëhet në pronë private

TIRANË, 29 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me projektin turistik në Zvërnec, duke i cilësuar zërat se shtetit po fal prona publike, si të “rreme”.
Gjatë fjalës së tij në prezantimin e “Albanian Digital Solution” Sh.A., kreu i qeverisë tha se prona ku po investohet në Zvërnec është private.
“Më vjen natyrshëm të them dhe për zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë me demek se shteti, po flas Zvërnecin, shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, denbabaden. Investitorët e përfshirë në atë proces janë tejet seriozë të cilët atë pronë e kanë marrë nga privati”, tha Rama.
Rama gjithashtu sqaroi se shteti shqiptar është pjesë e projektit vetëm në zonën e ishullit të Sazanit.
“Shteti po, ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është ishulli i Sazanit, ku ende sot nuk kanë mbaruar negociatat, pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të jetë aty e shtetit shqiptar”, tha Rama.
/m.q/r.e/a.f/