Rama: Investoni në malet e Shqipërisë, shpërblehet në mënyrë të shumëfishtë

TIRANË, 27 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, shifrat e vëllimit të investimeve dhe turistëve në Shqipëri po bëhen mjaft të rëndësishme.
Në fjalën e tij në eventin “Match-Maker Albania 2025” ku marrin pjesë mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, përfshirë investitorë, agjenci të zhvillimit dhe eksportues shqiptarë për investimet në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë, si dhe fuqizimi i markës “Made in Albania”, Rama u shpreh se, “shifrat ndërkohë sa po fillojnë të bëhen mjaft të rëndësishme sa i takon vëllimit të investimeve, sa i takon vëllimit të turistëve, vëllimit të të gjitha llojeve të eksport-importeve dhe të gjitha llojeve të shprehjeve të interesit si në hapësirën bregdetare, ashtu edhe në atë malore”.
Kështu që, shtoi Rama, “jemi një vend shumë, shumë i mirë për të investuar në gjithçka. Një vend shumë i mirë po ashtu për t’u bërë bashkë aktorë lokalë dhe aktorë ndërkombëtarë të biznesit”.
Kryeministri u shpreh se investimi sot në malet e Shqipërisë, është një investim që do të kthehet shumëfish në të ardhmen.
Rama u shpreh se “ka diçka që vazhdon të jetë shumë, shumë e lirë në Shqipëri që është gjithçka që dikush mund të kërkojë në male. Por për të gjithë ata që e njohin Shqipërinë përmes detit, apo përmes qyteteve të saj dhe mendon që ka parë më të mirën, po ju them që më e mira është në male dhe çfarëdo që dikush do të bëjë sot në male është diçka që do t’i shpërblehet në një mënyrë të shumëfishtë dhe me shifra të shumëfishta në një të ardhme jo të largët, por të afërt”.
“Match-Maker Albania 2025”, eventi më i madh i vitit për biznesin, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nisi sot në Tiranë, me mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, përfshirë investitorë, agjenci zhvillimi dhe eksportues shqiptarë për investimet në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë, si dhe fuqizimi i markës “Made in Albania”.
Kjo platformë e krijuar për të nxitur partneritete dhe bashkëpunim, është një mundësi e jashtëzakonshme për të lidhur eksportuesit shqiptarë me tregjet ndërkombëtare, për të prezantuar investimet vendase dhe të huaja në Shqipëri, për të shfaqur potencialin e vendit dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani botërore.