E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump kërcënon BE-në dhe Kanadanë: Tarifa në shkallë të gjerë nëse bashkëpunoni në dëm të SHBA-së

UASHINGTON, 27 mars /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian që të mos bashkëpunojë me Kanadanë, sipas “Economic Times”.

Në një postim në “Truth Social”, Trump tha se Kanadaja dhe BE-ja nuk duhej të bashkëpunonin nëse qëllimi ishte të dëmtohej ekonomikisht SHBA-ja.

Trump tha se nëse BE-ja dhe Kanada-ja krijonin një aleancë kundër SHBA-së, ai do të vendoste ‘tarifa të larta’ ndaj vendit të Amerikës së Veriut dhe bllokut evropian prej 27 kombesh.

“Nëse Bashkimi Evropian punon me Kanadanë për t’i bërë dëm ekonomik SHBA-së, tarifa në shkallë të gjerë, shumë më të larta se sa është planifikuar aktualisht, do të vendosen ndaj tyre”, tha Trump.

BE vonon tarifat ndaj SHBA-së

Bashkimi Evropian ka shtyrë kundërmasat e planifikuara ndaj SHBA-së – si një përgjigje ndaj tarifave të çelikut dhe aluminit të njoftuara nga presidenti Donald Trump – duke shtyrë datën e zbatimit në mesin e prillit.

Kjo vonesë i siguron BE-së kohë shtesë për të rivlerësuar se cilat produkte amerikane duhet të synojë dhe duke lejuar negociata të mëtejshme.

Fillimisht, Komisioni Evropian kishte vendosur një afat kohor për të rivendosur tarifat për mallrat amerikane me vlerë 4,9 miliardë dollarë duke filluar nga 1 prilli, e ndjekur nga tarifat për produkte shtesë me vlerë 18 miliardë dollarë më 13 prill.

Megjithatë, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic tha në Parlamentin Evropian se BE-ja po shqyrtonte përafrimin e kohës së të dy raundeve të tarifave për të mundësuar konsultime të njëkohshme me shtetet anëtare.

Kjo do të lejonte gjithashtu më shumë kohë për të vazhduar diskutimet me zyrtarët amerikanë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›