E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Izraeli fuqi e madhe inovacioni, të interesuar për tërheqjen e dijes në sektorin e teknologjisë

TIRANË, 28 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ekselencën izraelite në inovacion, ndërsa vlerësoi se transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri do të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë.

Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimin të marrëveshjes mes “TEDA Tiranë” dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, një investim i rëndësishëm në teknologji dhe inovacion.

Në fjalën e tij, Rama mirëpriti firmosjen e kësaj marrëveshje strategjike për Tiranën, ndërsa solli në vëmendje rëndësinë e Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni.

“E them këtë jo thjesht për arsye të marrëdhënieve që i kanë rrënjët në histori me popullin hebre, por edhe duke u nisur nga historia e zhvillimit, transformimit, modernizimit dhe e sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu ekonomie”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje faktin se pavarësisht territorit të vogël dhe numrit të vogël të popullsisë, Izraeli është shembëlltyra më frymëzuese e faktit se dallimin mes vendeve dhe shteteve nuk e bën çfraë ke por e bën çfarë di.

“Nuk e bën as sa ke, por e bën sa di. E kam sjellë shpesh në bisedat e mia shembullin e ujit. Izraeli nuk ka ujë, nuk është i bekuar nga Zoti siç jemi ne. Shqipëria ka burimet më të pasura ujore në Europë pas Norvegjisë, por Izraeli ka sistemin më të jashtëzakonshëm të furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujitjes në një tokë që nuk është pjellore”, tha Rama.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se Iszraeli ka zhvilluar një nga sektorët bujqësorë më të përparuar në botë.

“Këto janë fryt i dijes, i një procesi të thellë transformimi dhe shfrytëzimi të trurit dhe sa më shumë ne të përfitojmë nga transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri, aq më misë do të jetë për ne, ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “jemi në një fazë ku shumë gjëra jemi duke biseduar dhe projektuar me partnerë të ndryshëm të ekselencës izraelite”.

Rama falënderoi veçanërisht ambasadoren e Izraelit në Tiranë, Galit Peleg, të cilën e konsideroi jashtëzakonisht mbështetëse për Shqipërinë.

“Kjo ka një rëndësi të veçantë sepse shton energjinë dhe forcën e një përfaqësie diplomatike për të bërë më shumë për vendin ku është. Jemi duke diskutuar për një sërë marrëveshjesh strategjike që shtrihen në disa fusha, por çdo kontribut që mund të sjellim këtu nga bota e dijes së Izraelit në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit është më se i mirëseardhur”, shtoi Kryeministri Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›