E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

TEDA Tiranë, Ristani: Kurorëzim i përpjekjes për ta çuar në nivel tjetër zhvillimin e qytetit

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Krijimi i bazës së të dhënave që do të realizohet si bashkëpunim i “TEDA Tiranë”, Zona e Lirë Ekonomike e bashkisë së Tiranës dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, është kurorëzim i një përpjekjeje për ta çuar në nivel tjetër zhvillimin e këtij qyteti dhe ekonomisë.

Kështu deklaroi sot nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Roi Shaposhnik përfaqësues të kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, etj.

Ristani tha se “rëndësia e marrëveshjes sonë nuk është thjesht një marrëveshje tregtare midis një institucioni publik dhe një institucioni privat është kurorëzim i një përpjekje për ta çuar në nivelin tjetër zhvillimin e këtij qyteti dhe ekonomisë sonë që ajo të jetë e qëndrueshme dhe në përputhje me atë çfarë kërkohet nga ne si vend kandidat dhe në të ardhmen anëtar i BE-së”.

“Ajo që pamë si institucion publik që bën investime, ishte çështja e pronësisë. Ideja ishte që ne të bënim të mundur që kishim këtë pengesë të madhe që investitorët kishin në Shqipëri sa i përket pronës dhe territorit ku donin të investonin dhe t’u jepnim atyre një ecje përpara në mënyrë që sa herë do të kishin një nismë kjo të mos pengohej nga gjithë procesi i marrjes së territorit në pronësi”, tha Ristani.

E dyta, u shpreh Ristani, një qytet që po rritej dhe kishte kërkesa më të mëdha nga vetja, shumë më të mëdha se ato bazike apo shërbimeve që i marrim të mirëqena sot dhe që nuk ekzistonin, në hapin tjetër duhet të bënte dhe të lëvizte nga call center në data center dhe data center është ajo që po fillojmë sot.

“Meritonte të ishte jo një qendër për fasoneri dhe për shërbime bazike, në të cilat niveli i profesionalizmit ishte elementar po një qendër ku të rinjtë të kishin mundësi të kishin një vizion për të ardhmen e tyre me profesionalizëm me punë të mirëpaguara dhe konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë”, tha Ristani.

E treta, shtoi ajo, ishte konteksti pas COVID.

“Ajo që ndodhi me ekonominë botërore ku shumë komponentë botërorë patën mundësi si të kanalizonin prodhimin apo vendqëndrimin e tyre më parë tregjeve në mënyrë risku, politik, rajonal, global të kontrollohej në mënyrë më të mirë dhe të ishte më i përshtatshëm për llojin e bizneseve të tyre. Vende si Shqipëria që nuk ofronin treg pune masiv, por që ofronin stabilitet u bënë krejtësisht tërheqëse”, tha Ristani.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›