U përfitua nga veprimtari kriminale, SPAK vendos sekuestro mbi një tjetër pasuri në Elbasan

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vijim të procedimit të një organizate kriminale me bazë në qytetin e Elbasanit, e cila drejtohej nga dy vëllezërit, F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) ka sekuestruar sot një tjetër pasuri të paluajtshme që dyshohet se është produkt i veprës penale.
Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka vijuar kryerjen e hetimeve për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe te paluajtshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.
Më datë 23 shkurt 2025, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.
Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private me 2 kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.
“Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi , ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto hapësira plotësisht të mobiluara”, thuhet në njoftimin e SPAK.
/m.m/j.p/