E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Jemi në luftë, ka dhimbje dhe duhet t’i përballojmë me kurajo, besim dhe durim!

Për të dytën ditë me radhë kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për të përballuar me kurajo situatën e rëndë që është krijuar në botë nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. 

Në një status në rrjetet sociale zoti Rama kujton se Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet dhe se qeveria po konsumon buxhete të mëdha për të përballuar çmimet që po rriten me shpejtësi marramendëse. “Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht” shkruan zoti Rama.

Sipas kryeministrit “Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lekë!
Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë” shkruan zoti Rama
Kryeministri zotohet se “Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi”.

Zoti Rama bën thirrje se “gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje.

Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar jo të ndarë!” përfundon kryeministri Edi Rama. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›