E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Jemi pranë nisjes së projektit të parë të resortit të skive në Shqipëri

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” iu është përgjigjur sot ndjekësve në rrjetet sociale në lidhje me pyetje të ndryshme të adresuara prej tyre.

Një nga ndjekësit e pyeti kryeministrin në lidhje me turizmin në vend si dhe shtimin e mundësisë që fluksi i turistëve të jetë gjithëvjetor. Kreu i qeverisë tha se turizmi është zgjeruar përtej sezonit veror.

“Nëse ne kishim një turizëm me një numër shumë të reduktuar muajsh dhe relativisht shumë të ulur turistësh, ne sot nuk e kemi turizmin vetëm në korrik e gusht, por fillojnë hotelet e bregdetit qysh në prill e deri në tetor kanë turistë. Ndërkohë që zgjerimi përtej kësaj i turizmit tregohet edhe nga shifrat e nëntorit, dhjetorit, janarit dhe shkurtit ku kemi rritje të numrit, jo për arsye të plazhit sigurisht, por Tirana është një element shumë i fortë, por patjetër edhe qytete që kanë trashëgimi kulturor dhe gjëra të tjera për të ofruar,” tha Rama.

Rama theksoi se qeveria është shumë pranë nisjes së projektit të parë të resortit të skive në Shqipëri.

“Ka shumë akoma për të bërë, për të tërhequr turistë edhe në periudhën e sezonit dimëror dhe për këtë arsye po nxisim dhe, besoj, jemi shumë pranë nisjes së projektit të parë të resortit të skive në Shqipëri”, u shpreh Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›