Rama i përgjigjet komentuesit për Berishën: Është problem i drejtësisë, shqiptarët do të dinë ta trajtojnë më 11 maj

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se koha kur gjykatën e bënte partia dhe dënimet i jepte qeveria, apo kur kryeministri apo kreu i partisë caktonte se kush duhej të dënohej apo të lihej i lirë, ka vdekur, dhe se sot është drejtësia që i merr këto vendime.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri iu përgjigj një komentuesi i cili shkruan: “S’mund të them që s’jemi të zhgënjyer se ai bufi që kukuron sot, s’iu gjet ende vendi që meriton. Pse?”.
Rama tha se çlirimi i drejtësisë nga duart e politikës do të mbetet “guri kilometrik” në formimin e shtetit modern shqiptar.
“Ajo që është bërë dhe që është historike është që do të mbetet ‘gur kilometrik’ në formimin e shtetit modern shqiptar fakti që drejtësia u çlirua nga duart e politikës dhe që drejtësia është në gjendje që të futet në fushën ku vepron pushteti politik dhe të tërheqi nga ajo fushë ata që shfrytëzojnë pushtetin për përfitime të paligjshme,” tha Rama.
Sipas tij, ky është fakt i madh historik, që është produkt i PS-së.
Kryeministri vuri në dukje se problemi i kreut të opozitës nuk është problemi i tij.
“Ai bufi dhe kua-kua-kuatë, nuk janë problem im dhe yni, në aspektin ligjor, por janë problem i drejtësisë. Janë problemi im dhe i yni në aspektin politik, janë problem i shqiptarëve që në 11 maj do të dinë se si do ta trajtojnë këtë problem. Për këtë nuk kam pikën e dyshimit,” theksoi Rama.
Kryeministri po ashtu u zotua se do të rendiste flamurin shqiptar përkrah 27 flamujve të tjerë europianë.
“Jam këtu për të çuar Shqipërinë aty ku e kanë dashur të gjithë ata që nuk janë më, dhe aty ku e thotë amaneti i të parëve tanë, në majën ku është Europa dhe për të vënë flamurin e Shqipërisë në rresht, bashkë me 27 flamujt e tjerë. Nuk diskutohet që do ta çoj aty. Pastaj le ta marrë brezi i ri,” u shpreh Rama.
/r.e//a.g/