E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Jetoj për të punuar, “pangopësia” ime për Shqipërinë që përmirësohet

TIRANË, 11 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot komentuesve në rrjetet sociale të cilët komentonin stilin e tij të jetesës, ndërsa u shpreh se ai jeton për të punuar dhe nuk ngopet duke parë Shqipërinë që të respektohet, përmirësohet dhe forcohet.

Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri u shpreh se kush e njeh, e di shumë mirë që nuk punon për të jetuar, por jeton për të punuar.

“Jetoj për të bërë gjëra, jo për të konsumuar gjëra. Kush më njeh e di shumë mirë që prej kur jam bërë kryeministër mund të kem dalë në restorante në thuajse 12 vjet, të them 30 herë në total janë shumë. Dhe nga këto 25 herë me siguri me familjen. Është sakrificë e madhe për familjen, fëmijët tanë por kështu është. Të gjithë pjesën e kënaqësive të imagjinuara ose të propaganduara, si ha e pi, kush më njeh e di shumë mirë se nuk kam lidhje fare me këtë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se për shkak të përfitimeve që ka organizmi shpeshherë zgjedh të qëndrojë pa ngrënë duke pirë vetëm ujë për një cikël prej 48 orësh.

“Më shijon një ushqim i mirë kur është mundësia por mund të rri pa ngrënë edhe dy ditë pa asnjë problem dhe e bëj për arsye të favoreve që ka organizmi. Nëse arrin të bësh një cikël prej 48 orësh duke marrë ujë është një gjë shumë pozitive për organizimin, 72 orët janë fantastike për ta bërë dy ose tre herë, se është shumë, ndërkohë që është gjëja më normale për mua që përgjithësisht të ha vetëm një vakt në darkë në shtëpi. Këtu ha drekë te tavolina aty mbrapa nëse ma sjellin këtu”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj komentuesve edhe për udhëtimet e punës, ndërsa u shpreh se nëse do të kishte mundësi do t’i minimizonte.

“Do t’i minimizoja me qejfin më të madh se janë udhëtime pune jo qejfi. Ndaj dhe më vjen si zor shumë dhe habitem se çfarë flasin këta njerëz kur flasin broçkulla, ‘jo mori avionin privat, jo fluturime luksi’. Cili luks? Të gjitha fluturimet e mia private me familjen edhe sot që flasim dhe gjatë gjithë kohës i bëj vetëm me ekonomik si gjithë të tjerët”, tha Rama.

Për fluturimet e punës, kryeministri theksoi se “nuk shpenzojmë asnjë lekë më shumë për shtetin se sa është shpenzuar në mesatare çdo vit nga kryeministrat”.

“Fluturimet e punës me avionin që pata mundësi të kem janë fluturime pune dhe janë shkurtim kohe dhe shpenzimesh të tjera. Për më tepër, me marrëveshjen që kemi për atë avion nuk shpenzojmë asnjë lekë më shumë për shtetin se sa është shpenzuar në mesatare çdo vit nga kryeministrat. Deri kur nuk ishte avioni, rregulli në qeverinë time ka qenë dhe mbetet që anëtarët e qeverisë, përfshirë edhe mua nuk udhëtojnë me biznes, përjashtuar rastin e fluturimeve në SHBA që janë shumë të gjata dhe është normale. Por çfarë janë fluturime në Europë, të gjitha në ekonomik”, shtoi Rama.

Rama tha se ka vetëm një pangopësi dhe e ka shumë të madhe, nuk ngopet duke parë Shqipërinë që të respektohet dhe që të përmirësohet dhe forcohet. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›