Rama: Kamza, prova e një qeverisjeje që nuk i ndan njerëzit në majtas dhe djathtas

TIRANË, 1 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste vlerësoi sot se Kamza është prova e një qeverisjeje dhe një mbështetjeje nga qeveria qendrore që nuk i ndan njerëzit në majtas dhe djathtas.
Në një takim me asambletë socialiste të Kamzës dhe njësive 7 dhe 10, Rama u shpreh se nëse ka një vend në Shqipëri ku përputhja mes pritshmërive nga vota dhe punëve të bëra është thuajse 100%, ky vend është Kamza.
Ndërsa vlerësoi përfaqësimin e lartë të grave në asambletë socialiste, Rama theksoi se Kamza është prova e një qeverisjeje që nuk i ndan njerëzit në përkatësi krahinore, as në ndasi të asnjë lloj forme tjetër.
Përkundrazi, vijoi ai, u shërben të gjithëve me të njëjtin përkushtim.
“Vetëm po të llogarisësh se çfarë kanë përfituar fëmijët e Kamzës nga puna këmbëngulëse, programi ambicioz, përkushtimi i kryetarit të bashkisë dhe mbështetja e pakursyer që unë dhe qeveria i kemi dhënë bashkisë Kamzë, tregon që këtu në Kamzë duhet të jesh i qetë edhe nëse ke votuar PS-në edhe nëse nuk e ke votuar PS-në”, tha Rama.
Sipas tij, “qytetarët demokratë kanë lindur me këmishë se edhe kur s’na votojnë na e shohin hajrin”. /j.p/