E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Katër mijë kredi të buta për çiftet e reja në 2027, dy mijë me interes zero

TIRANË, 10 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në kuadër të Programit të ri Kombëtar të Strehimit, qeveria do të japë 4 mijë kredi të buta për çiftet e reja në vitin 2027.

Gjatë prezantimit të Programit të ri Kombëtar të Strehimit, Rama siguroi se 4 mijë çifte të reja do të pajisen me çelësa shtëpie në vitin 2027, sipas kritereve që do të bëhen të qarta dhe këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën.

“Këtu përfshihen 2 mijë kredi me interes zero për çdo apartament nën 60 mijë euro. Këtu  flasim për apartamente të vogla. Të gjitha këto politika janë ndërtuar mbi një studim të bërë nga grupi i punës mbi politikat e strehimit sot në Europë dhe jo vetëm”, tha Rama.

Ndërkohë sipas tij, 2 mijë kredi të tjera do të jenë me interes 3% për apartamente që janë mbi 60 mijë euro.

“Ne nuk synojmë thjesht dhe vetëm tanimë të zgjerojmë programin e strehimit social. Strehimi social është vetëm një komponent. Por ne sot përballemi me një problem shumë të madh që është botëror dhe europian. Kemi të bëjmë dhe me njerëz të cilët kanë krijuar një familje të re, kanë të ardhura, por nuk kanë mundësi që me ato të ardhura të blejnë shtëpi”, tha Rama.

Ndaj sipas tij, 2 mijë kredi do të jenë me interes zero dhe do i mbulojë qeveria shpenzimet, ndërkohë që 2 mijë të tjera do jenë me 3% dhe tavani i të ardhurave të çiftit do të rritet në 280 mijë lekë.

“Pra, e thënë ndryshe në 2 700 euro, që është mbi pagën mesatare të dy bashkëshortëve në sektorin publik apo në sektorin privat. Bëhet fjalë për shtresën e re të  mesme të vendit që duhet mbështetur”, shtoi Rama.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›