E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kemi marrë miratimin e autoriteteve franceze, do të vendosim monumentin e “Gjergj Kastriot Skënderbeut” në një shesh të Parisit

Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook ka njoftuar se është marrë miratimi i autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e “Gjergj Kastriot Skënderbeut” në një shesh të Parisit.

Kjo është arsyeja pse monumenti i Heroit tonë Kombëtar në Tiranë është mbuluar përkohësisht, pasi po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij.

Postimi i Ramës:

 Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit.

Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.

Po po, e lexuat mirë! Parisi do të ketë Skënderbeun e vet.

Pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.

Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër për të më akuzuar.

/vizionplus.tv 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›