E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Protestë kundër censurës”, Berisha: Edi Ramën do ta ndjekin një seri procesesh ligjore

Kryetari i PD, Sali Berisha, shfrytëzoi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale për t’u bërë apel t’i bashkohen protestës së opozitës kundër mbylljes së TikTok-ut. Berisha theksoi se protesta e 15 marsit është protestë kundër censurës.

“Shteti është duke pranuar censurë, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi. Ky bënte atë që bënte Enver Hoxha me Zërin e Amerikës që i vinte zhurmues në 4 anët, apo me televizionet italiane që u vinte zhurmues në mënyrë që njerëzit të mos dëgjonin të vërtetat nga këto mjete.”, tha Berisha

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Berisha deklaroi se çdo veprim i kryeministrit synon vetëm të mbajë nën kontroll Partinë Socialiste.

“Edi Rama së pari po përgatitet që së pari të mos ia marrë kush PS-në, por të qëndrojë kryetari i PS. E vërteta është se Edi Ramën e presin procese ligjore, seri procesesh ligjore në Shqipëri, por njëri është më epror nga të gjithë të tjerët, është afera McGonigal. Kështu që mos u çudit që të kërkohet për ekstradim, se unë u jap fjalën se pa asnjë hezitim do ekstradohet në SHBA.”

Berisha deklaroi se PD e bashkuar është gati të fitojë në 11 maj, duke ironizuar ish-kryetarin Lulzim Basha.

“Bashkimi i deputetëve dhe grupit parlamentar ishte vendimtar për forcën tonë politike që të shkojë drejt 11 majit si forcë drejt fitores. Meqenëse po më pyet me emër konkret. Përveç Taulant Ballës, të garantoj që ai njeri nuk ka njeri tjetër me vete. Nuk ka asnjë njeri.”

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›