Rama: Këto nuk janë protesta për arsimin, lëvizja paqësore e 2018-ës solli “Paktin për Universitetin”

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e ditëve të fundit nuk lidhen me kërkesa për arsimin, por sipas tij, synojnë të krijojnë perceptimin e një revolte studentore.
“E dini ju pse shkojnë te Ministria e Arsimit, jo se janë studentë që kërkojnë më shumë, po se duan të fusin në kokën e gjithsekujt që kjo është një revoltë për arsimin. Kjo nuk është një revoltë për arsimin”, u shpreh Rama.
Gjatë komunikimit me drejtuesit e Policisë së Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Rama iu referua protestave studentore të vitit 2018, duke i cilësuar ato si një lëvizje paqësore, ku mijëra studentë dhe nxënës kërkuan ndryshime në sistemin universitar.
“Revoltat për arsimin janë ato të 2018-s”, u shpreh Rama duke sjellë në vëmendje se protestat e vitit 2018 zgjatën për ditë dhe javë, duke sjellë bllokimin e universiteteve dhe ndërprerjen e mësimit, por, sipas tij, u zhvilluan në mënyrë paqësore dhe me kërkesa konkrete për universitetin.
Ai theksoi se pas dialogut me studentët u hartua Pakti për Universitetin, duke shtuar se ky proces mbetet i hapur për diskutime dhe përmirësime të mëtejshme.
“Pakti për Universitetin është një libër i hapur. Bujrum të vijnë të gjithë të ulemi, ta shikojmë”, deklaroi Rama.
Duke komentuar pjesëmarrjen e studentëve në protestat e fundit, kryeministri vuri në pikëpyetje përfshirjen e tyre në akte dhune, duke përmendur sulmet ndaj punonjësve të Policisë, bizneseve të vogla dhe zyrave të bankave, si dhe dëmtimin e automatëve bankarë.
“Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin? Si mund të jenë studentë ata që rrinë mbrapa atyre që hedhin gurë dhe i duartrokasin kur digjet polici?”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te të rinjtë që, sipas tij, nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në akte dhune, por janë përfshirë nga bindja se përmbysja e situatës aktuale do të sjellë përmirësime.
“Janë të ekstremizuar, janë të verbuar nga ideja se hajde ta kthejmë njëherë përmbys se pastaj do të bëhet më mirë. Si do të bëhet më mirë? Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys?”, u shpreh Rama. /e.i/j.p/