Rama thirrje protestuesve për dialog: Bujrum. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sot thirrjen për dialog me protestuesit.
Ai ka kërkuar të distancohen nga aktet e dhunës, hedhja e gurëve dhe zjarrvënia ndaj institucioneve.
Rama nënvizon se qeveria është e gatshme të zhvillojë bisedime në çdo kohë dhe pa kushte, ndërsa u bëri thirrje organizatorëve të japin shembullin e dialogut dhe të mbështesin protestat paqësore.
Kreu i Ekzekutivit shprehet se mbrojtja e jetës, dinjitetit të qytetarëve dhe sigurisë së vendit duhet të jetë prioritet.
Rama ka publikuar një deklaratë të përbashkët të organizatave dhe shoqërisë civile në Shqipëri ku bëjnë thirrjen për ndalimin e menjëhershëm të dhunës, mbrojtjen e jetës dhe respektimin e së drejtës për protestë paqësore.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty.
E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore
Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore.
Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi.
Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit
Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”.
Organizatat e shoqërisë civile: Të ndalet dhuna dhe të garantohet protesta paqësore
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe vetëpërmbajtje nga të gjitha palët.
Nënshkruesit u bëjnë thirrje protestuesve të shmangin sulmet ndaj personave dhe dëmtimin e pronës, ndërsa autoriteteve u kërkojnë të lehtësojnë ushtrimin e së drejtës së protestës, të ulin tensionet dhe të parandalojnë lëndimet.
Deklarata e plotë:
Ne, organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate, përballë përshkallëzimit të tensioneve dhe raportimeve për të lënduar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri, bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe vetëpërmbajtje nga të gjithë. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë përparësia absolute.
Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës, neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. U bëjmë thirrje pjesëmarrësve të protestojnë paqësisht, pa sulme ndaj personave dhe pa shkatërrim të pronës.
Autoritetet kanë detyrimin të lehtësojnë protestën paqësore, të ulin tensionet dhe të parandalojnë lëndimet. Çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm, rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional, duke përdorur paraprakisht mjetet paqësore.
Aktet e dhunës së individëve të veçantë nuk justifikojnë ndërhyrje pa dallim ndaj protestuesve paqësorë. Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo disproporcional të forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
Kërkojmë ndihmë të menjëhershme mjekësore për çdo të lënduar, mbrojtje të posaçme për të miturit dhe respektimin e të drejtave të çdo personi të ndaluar. Çdo pretendim për dhunë apo përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet shpejt, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
U bëjmë thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog. Respektoni të drejtën e protestës paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnje jetë nuk duhet vënë në rrezik.
