E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Taksat nga ndërtimet e reja financojnë shkollat dhe strehimin social

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i quajti thirrjet për shkatërrimin e godinave të reja si veprime që vijnë nga mosdija mbi mënyrën se si financohet qyteti.

Gjatë një takimi sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme me ministrin Ervin Demo dhe strukturat drejtuese të policisë, Rama iu përgjigj disa pretendimeve që vijnë nga protestat.

Ai tha se taksat që mblidhen nga ndërtimet e reja dhe kullat në Tiranë janë burimi kryesor financiar për investimet publike, përfshirë shkollat, kopshtet, çerdhet dhe infrastrukturën rrugore.

Sipas Kryeministrit, vetëm nga një godinë e re përfitohen miliona euro në buxhetin e qytetit dhe dobi direkte sociale për qytetarët në nevojë.

“Hajde të shkojmë, thonin, të shkatërrojmë e të djegim kokën e Edi Ramës atje, se e kanë bërë dhe kokën time atë godinën atje. Po e dinë? Nuk e dinë se sa taksa paguajnë për ta ndërtuar atë godinë… e dinë? Jo, nuk e dinë që me taksat e asaj godine dhe me përqindjen që nga ajo godinë del për strehim, ndërtohen 5 shkolla të reja. 5 shkolla të reja ndërtohen! Është 3 milionë e gjysmë euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social. Si dalin taksat? Nga dalin?”, u shpreh Kryeministri.

“E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë: shkolla, rrugë, trotuare, semaforë, pemë që mbillen e të gjitha me radhë? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta? Kopshtet, çerdhet me se financohen? Le të shikojnë kontributin në ato taksa të ndërtesave, të ndërtimeve, të pallateve, të godinave të reja edhe të kullave. Le ta shikojnë kontributin dhe le ta heqim atë kontribut dhe le të na tregojnë se nga i gjejmë këto para pastaj, për t’i bërë këto gjëra”, tha Rama.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›