E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Komisioni i Posaçëm, mekanizëm permanent i Kuvendit deri në anëtarësimin në BE

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “puna e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, është themelore dhe duhet të mbështetet me të gjitha fuqitë dhe duhet të çojë përpara punën e vet”.

“Por ne duhet që këtë komision më tutje ta transformojmë në një mekanizëm permanent të Kuvendit për të ndjekur të gjithë procesin deri në momentin e anëtarësimit në BE”, tha Rama në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kreu i qeverisë u shpreh se “për të bërë të mundur që përmes këtij mekanizmi që janë të përfshira në këtë proces të performojnë në lartësinë e ambicies që ne kemi shpallur që është “Shqipëria në BE në vitin 2030. Përndryshe ne nuk e arrijmë dot këtë. Është e pamundur”.

“Volumi i detyrave që duhen bërë është i jashtëzakonshëm dhe BE-së nuk fal asgjë. Nuk dhuron asgjë kur vjen puna tek standardet dhe kriteret që duhet të plotësojë një shtet nuk ka  as gjeopolitikë as luftë, as kriza të çfarëdo natyre që mund ta bëjë BE-në të thotë meqë po ndodhin këto gjëra, hajde t’i mbyllim sytë për këto gjëra. Kjo është kaq e vërtetë që edhe Ukraina që ka gjithë këtë mbështetje kolosale kur vjen puna tek hapat për t’u bërë anëtare e BE do të bëjë hapat një për një dhe nuk do të bëhet dot anëtare e BE-së ashtu siç i kërkojnë standardet dhe kriteret e BE-së”, tha Rama.

Më tej, Rama u shpreh se “ky proces është një bekim për të ndërtuar Evropën këtu. Kjo është arsyeja që është fat që jemi në qendër të Evropës dhe nuk jemi në Afganistan sepse  siç ka Komisioni i Posaçëm një tërësi ekspertësh që sjellin aty dijen e tyre për një fushë  dhe i japin dokumentit të përbashkët vlerën e plotë të dijes që ka vendi sot në këtë moment një burim dije për mënyrën si ndërtohet shteti i të drejtës që nuk e ka askush dhe nuk gjendet askund tjetër në BE. Kjo na jep ne mundësinë që jo vetëm ta ëndërrojmë shtetin e së drejtës, por edhe ta ndërtojmë shtetin e së drejtës”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›