Rama: Kontroll i specializuar i të ardhurave për individët me fitime të larta, supertaksë apartamenteve bosh dhe vilave në bregdet

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot disa nga masat e reja që parashikohen në kuadër të paketës fiskale për vitin 2027, duke paralajmëruar taksa shtesë për pronat e luksit, apartamentet që mbahen bosh dhe makinat luksoze.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se paralelisht me paketën fiskale, qeveria po punon edhe për ligje dhe vendime të tjera që synojnë të lehtësojnë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe, të cilat sipas tij, duhen ngushtuar.
Një nga masat e paralajmëruara është vendosja e një supertakse për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë bosh, duke refuzuar t’i japin me qira.
“Një supertaksë prone për ata që blejnë dhe mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qira. Është e drejta e tyre, por duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve”, tha ai.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se parashikohet një supertaksë për vilat në bregdet, si dhe një çmim shumëfish më i lartë për ujin që përdoret në pishinat e tyre. Sipas Ramës, kjo masë do të trajtohet përmes një ligji tjetër. Ndërkohë, në paketën fiskale të vitit 2027 do të përfshihet edhe një supertaksë për makinat luksoze.
“Një supertaksë prone për vilat në bregdet. Edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj. Ndërsa në këtë paketë fiskale do të ketë dhe një supertaksë për makinat e luksit”, tha Rama.
Një tjetër risi e bërë publike nga Kryeministri është krijimi pranë Ministrisë së Financave, i Byrosë së Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave.
“Ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet dhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formularët e deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Evropian, ose e thënë më thjesht, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë”, tha ai.
/j.p/r.e/