E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ulet pragu i aplikimit të TVSH-së për bizneset me xhiro mbi 5 milionë lekë, rritet 10% TVSH për hotelet

TIRANË, 28 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot disa risi në kuadër të paketës së re fiskale për vitin 2027.

Në fushën e TVSH-së, Rama njoftoi uljen e pragut të regjistrimit, duke përfshirë bizneset me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë.

“Po ashtu, ulim pragun e aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guaska bizneseve të mëdha për t’u fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim dhe për bizneset nën 5 milionë lekë që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve, nëse nuk duan të hyjnë në regjimin e TVSH-së vitin e ardhshëm”, tha ai.

Rama shtoi se “qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029”.

Së shtati, Rama tha se “rrisim dhe normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin”.

“Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim në kushtet kur të ardhurat e tyre vetëm rriten dhe rriten çdo vit”, tha Rama.

Rama bëri me dije se gjithashtu “ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me like e me followers dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›