E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Kriza i ka rrënjët tek zgjedhjet dhe tek korrupsioni”

“Kriza në Shqipëri i ka rrënjët tek zgjedhjet dhe korrupsioni. "Bojkoti", nuk ka qënë kurrë opsioni ynë. Opozita dhe votuesit duan garanci për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve vendore, ndërkohë që bindja jonë mbetet se zgjidhja e duhur e krizës fillon nga zgjedhje të reja". Kështu ka deklaruar kreu i opozitës Edi Rama, pas takimit të mbajtur me Zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit James B. Steinberg.
Rama është shprehur se: "Opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e qeverisë dhe nuk do t`i ndalojë protestat, ndërkohë që do të japë çdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore".
 

Në takimin që u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, Rama u shprehu mirënjohjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe posaçërisht Zëvendës Sekretarit të Shtetit Steinberg, për vizitën e tij në Shqipëri në këtë periudhë trazirash në botë dhe problemesh të shumta të cilat kërkojnë vëmendjen dhe angazhimin e qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rama shprehu angazhimin e palëkundur të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare për të qënë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbrojtje të parimeve dhe vlerave të demokracisë që Shtetet e Bashkuara mishërojnë e promovojnë, parime e vlera që inspirojnë edhe politikën e opozitës shqiptare.
 

Nga ana tjetër, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, zoti Steinberg nënvizoi se transparenca është një kërkesë legjitime dhe domosdoshmëri për forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit. Zoti Steinberg theksoi gjithashtu edhe rëndësinë për forcimin e institucioneve të pavarura në Shqipëri. Palët duhet të garantojnë ecurinë e procesit politik dhe Shtetet e Bashkruara të Amerikës janë pranë Shqipërisë për të vëzhguar nga afër këtë proces, u shpreh zoti Steinberg.
 

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Steinberg dhe kryetari i Partisë Socialiste Rama, shprehën domosdoshmërinë e hetimit të pavarur për zbardhjen e plotë të ngjarjes së 21 Janarit, ku u vranë 4 demonstrues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›