Rama: Krizat pushtojn vendin

“Zoti Berisha jo vetëm u vodhi votën shqiptarëve, por nën pushtetin e votës së vjedhur njerëzit po humbasin përditë vende pune duke paguar përditë e më shtrenjtë ushqimin, dritat, ujin, ilaçet. Kurse qeveria u tregon përditë gënjeshtra e përralla tallëse për rritje spektakolare ekonomike dhe mrekullira ekonomike planetare, të cilave njerëzit duhet e do t’u përgjigjen me protesta të përshkallëzuara deri në 30 prill e më tutje”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti tha se tashmë është e provuar edhe nga dokumentat e Bankës së Shqipërisë se rritja ekonomike gjatë vitit 2009 ka qenë 0 përqind, ndërkohë që papunësia sipas tij është në rritje së bashku me varfërinë, që sipas Ramës, është ulur këmbëkryq në cdo cep të vendit.
“Kjo e keqe i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të votimit dhe fajtori i vetëm për këtë gjendje alarmante të demokracisë e të ekonomisë së vendit është keqqeverisja që duhet ndalur me çdo kusht. Protestat janë mjeti që populli ka në dorë për të zmbrapsur fuqinë abuzive të një qeverie të pushtetarëve që kërrus përditë kurrizin e qytetarëve me korrupsion e varfërim”, u shpreh Rama.
Ne kete situatë, tha Rama, protestat jane e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund këtij pushteti të korruptuar dhe të paaftë.
“30 prilli do të jetë dita kulmore e protestave të përditshme që po zhvillohen kudo për hapjen e kutive të krimit elektoral dhe 1 maji do të gdhijë si dita e betejës qytetare për nxjerrjen e ekonomisë së vendit nga kutia e një krize që e thellojnë përditë pushtetarët dhe e paguajnë në fund të çdo muaji qytetarët”, theksoi Rama.
Në përfundim kryesocialisti ironizoi edhe takimin mes kryeministrit Berisha dhe Fatos Nanos në Vjenë.