E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, kryeparlamentarja kërkon mbështetjen e Vatikanit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkon mbështetjen e Vatikanit për heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kërkesa e saj iu drejtua Kardinalit Zenon Grocholevski, me të cilin zhvilloi dje një takim në mjediset e Nunciaturës Apostolike, ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë. Grocholevski, i cili është një prej kardinalëve më të njohur të Vatikanit, me një peshë të rëndësishme përmes karrierës së tij të gjatë në fushat e legjislacionit dhe edukimit, vuri theksin tek zhvillimi i vendit. Për Topallin, zëri i Vatikanit ka qenë gjithnjë një zë mbështetës në çdo hap të zhvillimit të Shqipërisë dhe në vijim të këtij bashkëpunimi ajo kërkoi mbështetjen e Vatikanit për heqjen e vizave dhe anëtarësimin në BE. Më tej, në takimin mes tyre është vlerësuar bashkëjetesa fetare në Shqipëri, të cilën Topalli e cilësoi si një model unik në Evropë, dëshmi e një mendësie të hapur dhe vizioni perëndimor të shqiptarëve. Edhe Kardinali Grocholevski tha se kjo vlerë e jashtëzakonshme e shqiptarëve është një aset që duhet ruajtur e duhet promovuar. Kryetarja e Kuvendit tha se në këtë vit të 100-vjetorit të lindjes së humanistes së madhe, shqiptares së admirueshme botërisht, Nënë Terezës, do të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme ardhja e Papa Benediktit XVI, ftesë që i është përcjellë nga Kryeministri Berisha në Vatikan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›