Ndihma në rast fatkeqësish, miratohet marrëveshja me Austrinë
Pasojat, në rast fatkeqësisht apo katastrofash natyrore, do të përballohen edhe më lehtë, falë ndihmës që do të vijë edhe nga Austria. Këtë gjë synon dhe projektligji Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjellë në raste katastrofash ose fatkeqësish të mëdha, i cili u miratua dje në Komisionin e Politikës së Jashtme. Anëtarët e komisionit vlerësuan se kjo marrëveshje do të ketë një ndikim mjaft pozitiv në përballimin e pasojave të katastrofave dhe fatkeqësive të mëdha. Qëllimi i marrëveshjes është rritja e sigurisë dhe lehtësimi i ndihmës në rastet e katastrofave ose të fatkeqësive të mëdha ndërmjet dy palëve nënshkruese. Kjo marrëveshje rregullon edhe marrëdhënie të tjera, si: kalimin e shpejtë të pikës kufitare, lirimin nga taksat doganore dhe lehtësimin e procedurave e të kontrolleve doganore, si dhe qëndrimin pa vizë në shtetin ndihmëkërkues të skuadrave të shpëtimit. Ndërsa Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje projektligjet Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Roterdamit, Për procedurën e miratimit të mëparshëm të njoftuar për disa kimikate dhe pesticide të rrezikshme në tregtinë ndërkombëtare si dhe Për ratifikimin e marrëveshjes ushtarake grant ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë.