E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kundërshtari të pranojë humbjen. Shqipëria më në fund bëri zgjedhje normale

ramaKryesocialisti Edi Rama, duke folur në një konferencë shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ajalën, ka kërkuar nga kundërshtari që të pranojë humbjen. Rama ka kërkuar përfundimin sa më parë të procesit të numërimit, ndërsa është shprehur se më në fund, në Shqipëri është zhvilluar një proces normal votimi.

Ne vazhdojmë të presim qetësisht, në respekt të etikës sonë demokratike, që kundërshtari të pranojë humbjen dhe të bashkohet me fitoren e madhe të Shqipërisë, në një palë zgjedhje që sikundër e kam përsëritur më parë, përbënin një takim të Shqipërisë dhe shqiptarëve me historinë, në të njëjtën përmasë si ato të vitit 1992. Dhe arsyeja përse rezultati është përtej të gjitha parashikimeve, lidhet me faktin e thjeshtë që populli shqiptar ka marrë një vendim solemn për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një epokë të re, njësoj si në vitin 1992. 

Por, ka kohë për fjalimin e fitores. Kjo është koha për të bashkëpunuar të gjithë së bashku, të gjitha partitë, që procesi i numërimit të përfundojë një orë e më parë dhe për këtë bëj apel që të gjithë skuadrat e numëruesve të palës që ka humbur, të vazhdojnë të bëjnë detyrën, në mënyrë që Shqipëria të fillojë nga puna.

Për ne dhe për mua personalisht, ky nuk është triumfi i disave kundër disave, por ky është triumfi i sovranit, që ndau me këto zgjedhje Shqipërinë nga historia e proceseve zgjedhore të manipuluara.

Sot çdo shqiptar duhet të ndjehet krenar, sepse e bëri Shqipërinë krenare në sytë e botës, se nga këto zgjedhje sot ka fituar Shqipëria, tha Rama.

Ndërkohë, Luis Ajala ka uruar të majtët për këtë fitore historike.

Kjo është një fitore e madhe e së majtës.

Ky është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë, Europën dhe familjen tonë socialdemokrate. Ashtu siç i drejtoj urimet e mia të thella zotit Edi Rama dhe PS-së, unë uroj edhe zotin Ilir Meta dhe LSI-në.

Ky bashkim i fortë i së majtës sjell një vizion të ri për vendin.

Besoj se Edi dhe Iliri janë ata që do të krijojnë një vizion më të mirë për të ardhmen. Ata do të krijojnë një demokraci normale për vendin.

Më pëlqeu shumë ajo që tha Edi dje, që edhe ata që humbën, duhet të bashkohen për të mirën e vendit.

Ajo që presim në orët në vijim, është që autoritetet të dalin dhe të njohin rezultatet e këtyre votimeve të ndershme.

Në të gjithë Europën, socialdemokratët po e festojnë këtë ngjarje të madhe për të majtën, tha Ajala gjatë fjalës së tij./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›