Koalicioni i majtë kryeson në gjithë vendin
Partia Demokratike është thyer edhe në bastionet tradicionale
Në bazë të rezultateve koalicioni i majtë po kryeson në të gjithë vendin. Deri tani opozita pritet të marrë nga 80 deri në 85 mandate, një rezultat ky që ka habitur edhe vetë drejtuesit e opozitës që nuk e prisnin një shifër kaq të madhe. Sipas një kalkulimi del që mazhoranca ka humbur në çdo qark nga një deri në dy mandate.
Bastionet e PD
Por ajo që ka rënë më shumë në sy është se e majta ka fituar edhe në bastionet më të forta të së djathtës. Simbol i kësaj përmbysjeje historike është Shkodra. Deri mbrëmë në mesnatë rezultati ishte 6 me 5 për Partinë Socialiste. Nëse ky rezultat do të përfundojë në këtë mënyrë, atëherë Jozefina Topalli ndoshta do të rrezikonte edhe postin e saj në selinë blu. E majta kryeson edhe në qytetet e tjera të veriut, duke përjashtuar vetëm Kukësin.
Fieri
Në Fier rezultati deri në mesnatë tregonte një epërsi të dukshme për opozitën duke shkuar drejt rezultatit 11 me 5, në mandate. Por edhe Dritan Prifti pritet të marrë një mandat në këtë qytet.
Vlorë
Në Vlorë e majta kryeson bindshëm dhe synon të marrë të paktën 8 mandate. Ndërkohë që nga votimi i deri tanishëm, Arben Malaj, rrezikon shumë që të marrë një mandat. Një tjetër risi në këtë qark është se Vangjel Dule me shumë mundësi do të ngelë jashtë Parlamentit.
Korçë-Elbasan
Në qytetin e Korçës e majta po kërkon të marrë mandatin e tetë. Ndërkohë që në Elbasan e majta pothuajse e ka marrë mandatin e tetë. Ndërkohë në këtë qark mund të marr një mandat edhe kandidati i PDIU-së.
Numërimi i ngadaltë në jug,
kryeson bindshëm koalicioni i majtë
Procesi i numërimit të votave po ecën me ngadalësi në jug të Shqipërisë. Nga rezultatet paraprake kryeson bindshëm koalicioni i majtë me gati dyfishin e votave të koalicionit të djathtë. Pritet që procesi të vijojë edhe sot.
E majta kryeson në qarqet veriore
Nga të dhënat e deritanishme, në 4 qarqet veriore, Aleanca për Shqipërinë Europiane kryeson në Shkodër, Lezhë dhe Dibër, ndërsa Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, e kryesuar nga Partia Demokratike, kryeson në Qarkun e Kukësit. Për momentin, numërimi i votave ka përfunduar në rrethet Tropojë e Has. Në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2009, Partia Demokratike fitoi 18 nga 28 mandatet e 4 qarqeve veriore, rezultat që pritet të përmbyset në zgjedhjet e tanishme
Ndarja e mandateve sipas votave të numëruara
Koalicioni i majtë ASHE 84
Koalicioni i djathtë APMI 56