KLD-ja: Problemet e gjykatave gjatë 2009-s

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka hartuar një raport të detajuar me problemet e gjykatave të dy niveleve në vendin tonë, që nga ndryshimi i vendimeve, dhënia e pafajësive e deri tek akuzat midis palëve në proces. Në skanerin e KLD-së kanë qenë analizat vjetore të gjykatave të rretheve dhe të apelit, të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën për mosdhënie drejtësie. Raporti i plotë është përpiluar nga të dhënat e marra nga secila gjykatë në Shqipëri, të cilat kanë detajuar problemet e përditshme, që nga zhvillimi i gjyqeve në orar e deri te pushimet e dosjeve civile pa ndonjë shkak. Burime nga KLD-ja thanë për gazetën “Shqip” se problemet i janë servirur edhe kryetarit të Këshillit, Presidentit Bamir Topi, i cili do të diskutojë ditën e hënë raportin në fjalë.
Raporti është përgatitur nga KLD-ja dhe në datën tetë mars do të zhvillojë një takim me titull “reflektim mbi problematikat gjyqësore që rezultuan nga analizat e veprimtarisë së gjykatave, gjatë vitit 2009”. Sipas të dhënave nga Këshilli në raport janë detajuar të dhënat e marra nga gjykatat e rrethit dhe të apelit. Sipas të dhënave, një nga gjykatat më të “sulmuara” ka qenë Apeli i Vlorës në lidhje me ndryshimin e vendimeve dhe moszbardhjen e tyre në kohë. Nga analiza rezultoi se ka shumë ankesa në KLD në adrese të gjykatave Vlorë, për gjykime të zvarritura, për masa sigurimi, apo për gjykime që pushohen për 5 minuta vonesë, kur edhe ora e dorës ndonjëherë nuk sinkronizohet për të matur 5 minutëshin, apo pushohen sepse pala ka “ngatërruar” datën. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka detajuar në raportin e analizës edhe shkaqet e cenimeve. “Cenimet e vendimeve penale janë të lidhura me masat e dënimit dhe duke mos pasur një politikë penale ekzakte për këtë me të drejtë ka edhe pretendime për aplikime të masave të dënimit”, detajon gjykata e rrethit. Në rastin e Gjykatës së Apelit të Vlorës, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të përmendte avashtësinë e shkallës së dytë “për të hequr qafe” dosjet gjyqësore. Gjithashtu është konstatuar se ka mangësi në nivelin e arsyetimit të vendimit, në analizën e ligjit dhe provave, shkak që ka sjellë cenimin e vendimeve nga Gjykata e Lartë.
Gjykatat e Rrethit sulmojnë Gjykatat e Apeleve për prishjen e vendimeve dhe moszbardhjen e tyre në kohë. Gjykata e Pogradecit ka “akuzuar” Apelin e Korçës, Gjykata e Fierit është ankuar për Apelin e Vlorës dhe Gjykata e Shkodrës për Apelin e të njëjtit qytet. Gjata analizës së Gjykatës së Shkodrës, nënkryetari i KLD-së, Spahiu, tha se puna e këtij institucioni është e mirë dhe informacionet argumentuese i bëjnë oponencë ligjore ndaj qëndrimit të apelit Shkodër, i cili, ‘vuan nga të njëjtat simptoma’ si gjykatat e tjera të shkallës së dytë. Ndërkohë, Gjykata e Fierit është ankuar rregullisht prej disa vitesh ndaj praktikave me dy standarde të Gjykatës së Apelit Vlorë. Gjykata Pogradec është ankuar për disa probleme mbi çështjet me objekt ‘vërtetim fakti juridik të qenies në marrëdhënie pune’ ndaj qëndrimit që mban Gjykata e Apelit Korçë. Gjykata e Rrethit Shkodër, është ankuar për një sërë problemesh praktikave jouniformë të Gjykatës së Apelit Shkodër në çështje ku konfliktet lindin me Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore apo me zyrën vendore të pasurive të paluajtshme.
“Ka dhe një sërë debatesh të kundërta ligjore mes rrethit dhe apelit lidhur me ligjin procedural civil apo penal: më ka bërë përshtypje prishja e vendimit të rrethit Shkodër në një çështje penale, pasi ‘diskutimi përfundimtar i mbrojtësit të të pandehurit është konsideruar i paargumentuar dhe është shkelur e drejta për mbrojtje efektive’. Gjykata duhet të garantojë mbrojtjen dhe jo të bëjë mbrojtjen” do të deklaronte nënkryetari i KLD-së, duke shtuar se është i rëndësishëm konfrontimi i debatit juridik ndërmjet niveleve të gjykimit. Më tej shtoi se “kam konstatuar se gjykatat e mëdha në shkallë të parë, në kërkesat me objekt caktim të masës së sigurimit, kanë politikë penale më të rëndë sesa apeli respektiv, ku të njëjtat rrethana vlerësohen ndryshe”. Më tej shtoi se gjyqtarët e shkallës së parë, nuk ndryshojnë mënyrën e vlerësimit dhe mbeten po aq “të ashpër”. Nënkryetari i KLD-së tha se është e nevojshme për të diskutuar mbi standardizimin e disa problemeve procedurale të riparueshme, pa cenuar pavarësinë funksionale të gjyqtarit, rast pas rasti të provave dhe ligjit.
#