Rama: Largohemi këtej, vetëm kur opozita të ketë vdekur
“Kjo çadër do të ngrihet vetëm kur në këtë vend të ketë vdekur opozita”. Kjo frazë është lëshuar dje nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili gjatë tubimit para selisë së qeverisë, ka bërë të qartë se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj. Me një gjuhë të ashpërsuar dhe me intonacion gati kategorik në apelimin publik, ai ka dalë para qytetarëve shqiptarë me një thirrje që shpreh tensionin e marrëdhënieve mes palëve. Të paktën, sipas qëndrimeve të përcjella nga çadra e grevës së urisë, mund të merret me mend se dialogu politik është i mundshëm vetëm përmes respektimit të pretendimeve aktuale, për të cilat opozita nuk ka ndërmend të lëshojë pe në asnjë drejtim. “Ne do të qëndrojmë këtu deri sa të ketë zgjidhje”, ka vijuar Edi Rama, duke hequr çdo mëdyshje rreth vijimësisë së grevës. Duket se kjo e fundit ka si perspektivë vetëm veten, për sa kohë që krerët e Partisë Socialiste nuk po artikulojnë asnjë alternativë tjetër, qoftë edhe si pjesë të axhendës së negocimit që kërkohet me shumicën në pushtet. Ashtu sikurse gjatë ditëve të kaluara, Rama ka folur hollësisht rreth kauzës së opozitës, që së fundmi po kritikohet edhe nga një pjesë e intelektualëve shqiptarë. Hapja e kutive si domosdoshmëri e transparencës është risjellë edhe njëherë në vëmendje si një kërkesë që i përmbahet dhe shpreh parimet e demokracisë reale, e cila është goditur dhe deformuar me manipulimin e 28 qershorit. “Arsyeja e këtij stërmundimi është mungesa e transparencës së atyre kutive nga buron ky pushtet, rrënimi i demokracisë, i shtetit të së drejtës, i ekonomisë. Kjo përpjekje është transparente sa nuk bëhet dhe kjo betejë është e pandalshme, sepse Shqipëria nuk e meriton këtë cinizëm në pushtet”, ka deklaruar kreu i opozitës. Vetë kërkesa e PS dhe aleatëve të saj, e përsëritur për gati 10 muaj rresht, vetiu ngre një akuzë ndaj qeverisë, pavarësisht certifikimit institucional që ajo përdor si argument mbrojtës. Duhet thënë se i gjithë ky arsenal terminologjik paditës nuk e ka kompleksuar shumicën në pushtet, që gjithsesi deri më tani ka zgjedhur kryesisht të heshtë ndaj situatës së provokuar pas 30 prillit. Por në këto momente jo të thjeshta ku po kalon PS, është arritur një lloj unifikimi i munguar i saj me aleatët dhe rrymat e ndryshme brenda. Gjuha e përdorur nga oratorët e protestës, që përbën në fakt investimin personal të gjithsecilit në këtë aksion vendimtar të PS, jep një ide të asaj që ekipi opozitar po ruan një kohezion të qëndrueshëm. Por më shumë se kaq, elementi që po i jep oksigjen nismës në fjalë është qëndrimi i grevistëve që edhe dje kanë rikonfirmuar vullnetin për të vijuar ngujimin e tyre që nuk do të ndalet, sipas tyre, deri në arritjen e një zgjidhjeje për kërkesat e bëra. “Në sakrificë deri në fund për Shqipërinë demokratike”, janë shprehur përfaqësues të tyre dje, duke u sinkronizuar me drejtuesit politikë që udhëheqin jashtë protestën që vijon prej 9 ditësh. E vetmja dilemë që ende nuk po lexohet apo kuptohet, ka të bëjë me reagimin e shumicës, e cila përveç thirrjeve për dialog, nuk ka ofruar diçka konkrete deri më tani. Fjala e përfaqësuesve të opozitës në tërësi po zbulon gjithnjë e më shumë idenë e zgjedhjeve të parakohshme, që nga ana e vet e përjashton opsionin e negociatave.
#