E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, një mekanizëm të ri për hua ndaj vendeve në krizë

Kriza Pritet sot miratimi i ministrave të Financave të 27 anëtarëve

Të tronditur nga ajo çka po ndodh në Greqi dhe në përgjithësi me tregjet financiare, për shkak të deficiteve të mëdha buxhetore të disa vendeve të Eurozonës, liderët e kësaj zone kanë rënë dakord që të krijojnë një mekanizëm të ri krize. Të mbledhur me urgjencë në Bruksel, liderët kanë vendosur të kenë një mekanizëm të ri, që do të fillojë funksionimin javës që vjen, ndërsa sot pritet aprovimi i 27 ministrave të Financave së vendeve të BE-së. Bëhet fjalë për një fond të përhershëm, që do të japë kredi në euro për vendet e Eurozonës kur ndodhen në vështirësi. Sipas analistëve, nëse një mekanizëm i tillë do të kishte ekzistuar, kriza greke do të ishte shmangur, ose të paktën përmasat e saj do të kishin qenë më të vogla. “Eurozona është duke kaluar një krizë shumë të rëndë, madje më të rëndën që nga krijimi i saj. Sot, ne përballemi me një sulm ndaj së gjithë Europës, jo vetëm Greqisë dhe për këtë do të duhet një kundërpërgjigje unike”, deklaroi Presidenti i Francës Sarkozy. Sipas tij, asnjë nga masat e marra nuk kërkonte ndryshime të Kushtetutës së Bashkimit Europian dhe se gjithçka duhet që të kishte marrë fund me miratimin e 27 vendeve deri të hënën në mëngjes. Kancelarja gjermane Merkel, e kritikuar për qëndrimin e deritanishëm ndaj Greqisë, bëri vetëm një deklaratë të shkurtër në përfundim të takimit: “Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndaj euros ka nisur një fushatë spekulimesh”. Sipas specialistëve, fondi do të mbështetet nga një organizëm ekzistues, ai i balancimit të pagesave. Shumë shpejt pritet edhe marrja e masave të tjera të rrepta mbikëqyrëse për financat e Eurozonës, të cilat do të njoftohen në ditët e ardhshme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›