Rama: Linjë interkonjeksioni mes Shqipërisë dhe Italisë, lidh Lindjen me Perëndimin

Në konferencën e përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama deklaroi rëndësinë e Korridorit 8 si një korridor strategjik jo vetëm për Evropën por edhe për NATO-n, tregtinë dhe mbrojtjen, duke vënë në dukje se “më në fund ka nisur me një ritëm të përshpejtuar kjo është meritë e ministrit të Jashtëm të Italisë i cili uli përreth një tryeze të gjithë aktorët dhe po e ndjek këtë projekt personalisht”.
Rama e lidhi këtë përparim me deklaratën e kryeministres Meloni, e cila “shkon për drejtimin e asaj që është për thellimin e kësaj marrëdhënieje dhe njëherësh thelbi i kësaj lidhjeje, të këtij partneriteti strategjik që më në fund shoqërohet nga kantiere të mëdha; energjia”.
Në këtë kuadër, Rama përmendi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë që po ecën përpara për të kontribuar për sovranitetin energjik të Evropës, përmes linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë me pjesëmarrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Kemi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë, i cili po ecën përpara për të kontribuar për sovranitetin energjik të Evropës, përmes linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Italisë me pjesëmarrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe. Jemi duke punuar për një projekt shumë të madh që do të lidhë Lindjen me Perëndimin, që do të përfshinte shtete si Rumania, Bullgaria, Greqia, Shqipëria, Italia”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së parë të përbashkët qeveritare midis Shqipërisë dhe Italisë në Romë u nënshkruan marrëveshje në fushat e energjisë, mbrojtjes dhe infrastrukturës.
/rtsh.al/