E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri – Itali, publikohen 15 marrëveshjet konkrete që forcojnë partneritetin strategjik

Shqipëria dhe Italia kanë shkëmbyer mes tyre 15 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, duke thelluar në mënyrë të ndjeshme partneritetin mes dy vendeve në fusha kyçe strategjike, nga siguria dhe mbrojtja civile te energjia dhe kultura. Këto angazhime u konkretizuan në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve, të mbajtur në Romë.

Marrëveshjet, të shkëmbyera nga ministrat respektivë të kabineteve qeveritare, mbulojnë një gamë të gjerë interesash të përbashkëta, me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve shqiptare dhe bashkëpunimin ekonomik.

Mbrojtja Civile dhe siguria, prioritetete kyçe

Një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve të nënshkruara fokusohet në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes civile në Shqipëri. Këtu përfshihen:

Mbrojtja Civile

Një marrëveshje ndërqeveritare, lidhur me koncesionin e një huaje ndihme për krijimin dhe përforcimin e sistemit të Mbrojtjes Civile Shqiptare.

Siguria

U nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike si dhe një tjetër memorandum operativ kundër trafikut të drogës.

Mbrojtja

Marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes dhe një marrëveshje teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera italiane për Forcën Detare Bregdetare Shqiptare.

Bashkëpunimi ekonomik dhe investimet

Partneriteti ekonomik mori një shtysë të fortë me përfshirjen e institucioneve kryesore financiare italiane.

Energjia

U firmos një marrëveshje financiare mes Cassa Depositi e Prestiti SpA (CDP) dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, e cila synon përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë në Shqipërinë veriore, një projekt ky i lidhur me dëmet e tërmetit të vitit 2019.

Industria dhe kantieret

Vlen të theksohet Memorandumi i Mirëkuptimit mes kompanisë italiane të ndërtimit të anijeve Fincantieri dhe KAYO, një memorandum paraprak për krijimin e një joint ventures për punimet në kantieret e Pasha Limanit. Marrëveshje e ngjashme u nënshkruan edhe mes CDP-së, Simest SpA (me AIDA-n) dhe Leonardo SpA (me KAYO), duke treguar një angazhim të lartë të Italisë në projekte të mëdha industriale dhe zhvillimore.

Shëndetësia dhe kultura

Gjithashtu, u shkëmbyen marrëveshje në fusha që lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien qytetare dhe trashëgiminë kulturore.

Shëndetësia

U nënshkrua një marrëveshje për realizimin e një projekti në mbështetje të neonatologjisë, duke synuar mbrojtjen e fëmijëve dhe nënave.

Kultura

Partneriteti u thellua edhe në fushën e artit, me një Memorandum Mirëkuptimi mes fondacionit MAXXI (Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit të XXI) dhe Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.

Kjo mbledhje ndërqeveritare shënon një hap të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë, duke i dhënë dimension konkret partneritetit strategjik përmes një sërë projektesh me ndikim direkt në sigurinë, ekonominë dhe zhvillimin e vendit.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Politika

    Të gjitha ›