E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadori Gonzato: Demokracia evoluon, reforma zgjedhore është kyçe për integrimin europian

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në prezantimin e projektit “Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri (SECA)”, të organizuar nga Zyra e Këshillit të Europës.

Ky projekt trevjeçar synon të rrisë integritetin, gjithëpërfshirjen dhe transparencën e zgjedhjeve në vend, duke u fokusuar në ngritjen e një qendre të posaçme për trajnimin e administratës zgjedhore.

Gjatë aktivitetit, Gonzato theksoi se demokracia dhe qeverisja e mirë janë përgjegjësi të përbashkëta, ndërsa reforma zgjedhore mbetet një element kyç i rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ai nënvizoi se projekti SECA do të mbështesë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe aktorët kombëtarë në forcimin e pavarësisë institucionale, depolitizimit dhe standardeve profesionale, si dhe në digjitalizimin e proceseve zgjedhore.

“Demokracia nuk është diçka stacionare; ajo evoluon nëpërmjet institucioneve dhe teknologjisë, por mbështetet në vlera të përbashkëta si transparenca dhe integriteti. BE-ja qëndron e palëkundur në mbështetjen e Shqipërisë, veçanërisht të KQZ-së, në këtë drejtim,” u shpreh Gonzato.

Ai përshëndeti krijimin e Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke e parë si dëshmi të vetëdijes për nevojën e përballjes me sfidat e së shkuarës dhe forcimin e integritetit të procesit zgjedhor.

Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të KQZ-së, Parlamentit, qeverisë, shoqërisë civile, medias dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët riafirmuan angazhimin për zgjedhje të besueshme dhe transparente.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›