E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Lirimi i hapësirave publike përpjekje e pandalshme, nuk ka selektime

TIRANË, 1 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama siguroi sot se lirimi i hapësirave publike nuk është një aksion, por është një përpjekje e pandalshme për kthimin e ligjshmërisë në territor.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se nga dje ka skaduar afati për tërheqjen e të gjitha llojeve të rraqeve buzë rrugëve kombëtare.

“Sot do të fillojë hap pas hapi ndërhyrja e forcave përkatëse të kontrollit mbi territorin. Ambicia jonë është që të jemi kampionë të Ballkanit në turizëm. Kemi arritur të bëjmë jashtëzakonisht shumë në vitet e fundit. Jo më larg se sot paradite më dërguan një raport të një prej instituteve më prestigjioze të botës për mirëqeverisjen në Singapor”, tha Rama.

Kryeministri informoi se në këtë raport Shqipëria vlerësohet si një nga yjet në ngjitje të Europës në mirëqeverisje.

“E thonë ata. Nuk kemi kushërinj në Singapor dhe nuk kemi influencë mbi institutin e qeverisjes në Singapor, qeveria jonë vlerësohet së bashku me Italinë, Lituaninë, Greqinë etj., për çfarë ka bërë vitin e fundit në aspektin e reformave të qeverisjes”, shtoi Rama.

Duke folur për lirimin e hapësirave publike, kryeministri siguroi se forcat përkatëse do të duhen të angazhohen shumë më tepër tani e mbrapa.

“Na duhet që të jetojmë dhe të bashkëjetojmë me idenë që të gjithë së bashku duhet tani t’i japim një cilësi të re vendit tonë si një destinacion turistik, por edhe si një shtet i së drejtës, për t’u bërë anëtar i BE-së”, tha Rama.

Rama theksoi se “nuk mund të bëhemi anëtar të BE-së nëse disa përpiqen të bëjnë punën dhe disa nga ana tjetër përpiqen të bëjnë gjithçka duke mos pyetur për punën e përbashkët”.

Në këtë aspekt, Rama theksoi se territori ka një rëndësi të posaçme dhe po ashtu respekti për hapësirën publike.

“Ka rëndësi të posaçme vendosja e qartë e kufirit mes të drejtës së secilit mbi hapësirën e përbashkët dhe të drejtës së kujtdo që do të zhvillojë një aktivitet të caktuar, legjitim në këtë hapësirë. Është një domosdoshmëri. Nuk mundet dot që të vazhdojmë që bukuritë e mëdha që na ka falur Zoti e natyra të abuzohen, dhe që nga ana tjetër ne të paraqitemi para fëmijëve tanë si rraqexhinj, delenxhinj dhe si abuzues me pasuri që nuk janë tonat, janë të përbashkëta”, shtoi Rama.

Kryeministri siguroi se “është shumë e rëndësishme që të jetë e qartë që këtu nuk ka absolutisht, nuk ka për t’u lejuar asgjë selektive”.

“Nuk ka për t’u lejuar! Sigurisht tentativat do bëhen, sigurisht dikush do kthej kurrizin, sigurisht dikush do mbylli sytë. Këto janë të pashmangshme, por nuk ka për t’u lejuar asgjë selektive. Dhe si nuk do lejohet asgjë selektive, duke bashkëpunuar komuniteti me autoritetet, duke këmbëngulur, duke denoncuar, duke insistuar dhe duke çuar përpara këtë proces të përbashkët”, shtoi Rama.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›