Rama: Lobimi 6 milionë dollarë i “bufit” për të larë damkën, sa 500 mijë pensione

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste komentoi sot lobimin 6 milionë dollarë të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha për heqjen e “non gratës” nga SHBA.
Në takimin përmbyllës elektoral në Shkodër, Rama komentoi edhe deklaratat e fundit të Berishës.
“Ore ia hoqën atë non gratën? Apo në datën 12 do t’ia heqin? Sikur do t’ia hiqnin se 6 milionë dollarë janë shumë. Bufi dje ishte kapur me Lamborghini-n e Noizy. ‘Ai ka lekët e veta’ tha por janë 50 mijë pensione. Në fillim tha janë 10 mijë se tani di çfarë thotë. Tani çfarë ka me Noizy-n? Si qenkan 50 mijë pensione për Lamborghini-n e Noizy-t? Sa kushton Lamborghini? Kushton shumë më pak se 6 milionë dollarë”, tha Rama.
Rama tha se “nëse shkojmë me logjikën aritmetike të bufit, 6 milionë dollarë janë 500 mijë pensione”.
“Bufi për të larë damkën, siç ia vënë deleve, që ia kanë vurë bam për të larë atë numrin në kokë, sa pensione paska paguar? Nëse Noizy për Lamborghini-n e vet janë 50 mijë pensione, po bufi me lekët e kujt? Se i bie me aritmetikën e tij 500 mijë pensione. Se Lamborghini është shumë më pak se 1 milion. Çfarë aritmetike është kjo? Tani për çfarë do të diskutojmë ne?”, tha Rama. /j.p/