E Martë, 3 Nëntor 2026

Shehaj në Sarandë: Më 11 maj t’i largojmë nga pushteti të korruptuarit

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kreu i Partisë “Mundësia”, Agon Shehaj, gjatë takimit me qytetarët e Sarandës u shpreh se politikanët e korruptuar kanë marrë peng Shqipërinë.

“Ne kemi me dhjetëra të rinj e të reja që kanë studiuar jashtë, dhe kthehen sepse duan të japin një kontribut në vendin e tyre. Sa më shumë kanë jetuar në botën e lirë, aq më shumë u vjen inat pse Shqipëria duhet të jetë në dorën e të korruptuarve”, u shpreh kreu i Mundësisë.

Kreu i Mundësisë u shpreh se në 11 Maj është mundësia e shqiptarëve për të larguar “taulantët” që kanë kapur Shqipërinë.

Shehaj paralajmëroi se drejtësia do të vijë për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin ndërsa shtoi se “Mundësia” dallon nga të gjithë, pasi është e pakapur dhe e pakorruptuar.

“Është një film të cilit ia dimë fundin, e dimë si do përfundojnë. Do përfundojnë në burg, është çështje kohe. Do katadisen aq keq, sa do na vijë keq për ta”, deklaroi Shehaj në Sarandë.

Shehaj u shpreh se “Mundësia” është një projekt afatgjatë që ka synim të sjellë ndryshimin në Shqipëri, që do të vijë gradualisht falë punës dhe këmbënguljes.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ky është një proces afatgjatë, është një projekt politik afatgjatë. Dhe ndryshimi është një proces. Një pjesë e mirë vijmë nga biznesi. Nëse nuk kemi qenë sipërmarrës, kemi punuar në biznese private”, u shpreh ai.

“Dhe e dimë shumë mirë që ndryshimi vjen gradualisht. Nuk mund të presim që brenda ditës të vijë zgjidhja. Por ajo që na ndan nga qëllimi ynë, nga suksesi, është puna jonë, varet nga këmbëngulja jonë. Unë jam i bindur që po të bëjmë punën tonë, po të ngulim këmbë, po të vazhdojmë të flasim me njerëzit, suksesi është i pashmangshëm. Mjaftojmë të shohim 10 muajt e fundit. Çdo ditë na kanë thënë nuk do t’ia dilni”, tha Shehaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›