E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Marrëveshja e binjakëzimit me spitalin izraelit Sheba nis nga Onkologjiku dhe do shtrihet në gjithë QSUT

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se “kemi nisur një proces bashkëpunimi për të arritur marrëveshje binjakëzimi të plotë me ndërveprim të plotë me spitalin Sheba të Izraelit, i rankuar si spitali i 9-të në botë sa i përket kapaciteteve dhe shërbimeve dhe cilësisë së performancës”.

“Në fillim të vitit të ardhshëm, Onkologjiku do jetë pika e parë e bashkëpunimit në terren. Gjithë programi i punës së Onkologjikut do jetë program që, jo vetëm po ndërtohet aktualisht tani që po flasim me ekspertë të Onkologjikut të spitalit Sheba, por edhe do të ndiqet dhe menaxhohet dhe njëkohësisht do të zbatohet në jetën e përditshme të spitalit, bashkërisht duke shfrytëzuar kapacitetin e mjekëve izraelitë, por edhe mundësive që jep teknologjia përmes telemjekësisë”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “besojmë që ky është hap i parë, por ndryshimi do jetë i jashtëzakonshëm për transformimin e atij shërbimi që është më i vështiri në gjithë planetin kjo dihet pse”.

“Hap pas hapi gjatë vitit të ardhshëm ky bashkëpunim do të shtrihet në gjithë QSUT që synojmë ta kthejmë në qendër ekselence sa i përket shërbimit shëndetësor publik”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›