E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Qëndrueshmëri e burimeve njerëzore në Shëndetësi, u punësuan 344 mjekë të rinj dhe 1123 infermierë

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp të fundvitit me gazetarët u ndal edhe tek sektori i shëndetësisë, ku theksoi se “kemi një sërë zhvillimesh pozitive në rritjen e performancës së shërbimeve në sistemin tonë të shërbimit publik shëndetësor”.

“Shumë nga gjërat pozitive që kanë ndodhur në fushën e shëndetësisë nuk bëjnë lajm. Duke mos bërë lajm nuk i merr vesh njeri. Për shembull nuk e di njeri, ne e themi kuptohet që janë më interesante përgjimet për t’i nxjerrë përditë e përditë për t’i rikujtuar e për të bërë emisione dhe debate. Autonomia spitalore ka vazhduar të implementohet sot krahas Spitalit Memorial të Fierit, ku u pilotua janë 5 spitale të tjera, që kanë marrë autonominë dhe kjo do të thotë që ka ndryshuar sistemi nga brenda në raportet midis trupës menaxheriale, trupës së profesionistëve të shëndetit publik dhe financave”, u shpreh Rama.

“Kjo është shumë e rëndësishme, autonomia spitalore jep mundësi për të pasur fleksibilitet edhe në pagat e mjekëve në bazë të një sërë kriteresh të përcaktuara. Kemi vazhduar të shtojmë programet e shërbimit për fëmijët duke filluar nga shërbimi dentar që është një risi e rikthyer në jetën e shkollës në ndihmë të prindërve dhe fëmijëve kryesisht për parandalimin, kemi rreth 55 mijë përfitues këtë vit të rimbursimit të fishave të diabetit”.

“Shumë e rëndësishme është që nqa aspekti i burimeve njerëzore kemi qëndrueshmëri janë punësuar nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” këtë vit, 344 mjekë të rinj dhe 1123 infermierët përfshirë edhe teknikët e shkencave mjekësore. 65 specialistë të rinj kanë përfunduar specializimet. Ka filluar një program i kredive të buta për shtëpi, mjekë, infermierë, mësues dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura”, tha Rama. /k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›