E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Masa agresive për ekonominë

Kreu i PS-së, Edi Rama apelon për marrjen e masave agresive për ekonominë, që sipas tij, është një shqetësim i madh për vendin.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama deklaroi se kreu i qeverisë Berisha bëri dje një paradë shifrash, por të pavërteta. "Por fshehja e të dhënave dëmton rëndë vendin", pohoi Rama. Ai theksoi se është paralajmëruar marrja e një borxhi tjetër, çka do përkeqësojë gjendjen. "Marrja e borxhit për të larë një borxh tjetër do na çojë në humnerë", shtoi kreu i PS-së.
Sipas tij, ajo që po ndodh me ekonominë familjare në Shqipëri është dramatike. Sipas Ramës, INSTAT ka fshehur të dhënat duke deklaruar se është shënuar një rritje 8-9 % e çmimit të energjisë. "Kur ERE ka deklaruar një rritje 13% dhe qytetarët kanë vërtetuar se faturat janë 2 herë më të shtrenjta", saktësoi kreu i PS-së. Kryesocialisti Rama pohoi se janë dhënë shifra të paqëna për eksportet.

Kreu i socialistëve theksoi se vendi po vuan mungesën e transparencës dhe protestat janë e vetmja mënyrë për të arritur atë. "Kjo qeveri nuk është rezultat u votës së qytetarëve, por i manipulimit të saj. Ndaj qytetarët duhet të mos duan t'ia dinë për qeverinë. Rruga për protesta nuk është aksion partiak për të realizuar interesin e një pale, por e vetmja rrugë për të garantuar interesat e qytetarëve", shtoi ai.
Lideri i opozitës ka folur edhe për mundësinë e votimit elektronik, si në rastin e Estonisë , duke deklaruar se në vendin tonë është i pamundur. "Në Estoni ka internet në çdo skaj të vendin, ndërsa në vendin tonë ky votim është i pamundur për momentin pasi nuk garantohet votimi me internet. ", shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›