Rama: Mbrojtja e bektashizmit, amanet për çdo patriot shqiptar

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin e organizuar për 95-vjetorin e vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, ku theksoi se “të gjithë duhet t’i premtojnë njëri-tjetrit, shpëtimin, mbrojtjen dhe promovimin e bektashizmit, kësaj trashëgimie të vyer kulturore shqiptare”.
“Askush, që flet shqip dhe që është shqiptar prej vërteti, se ka dhe ca që flasin shqip dhe që janë shqiptarë që Allahu na ruajtë neve prej tyre dhe Allahu u bëftë derman mendjes së tyre, por shyqyr, lavdi Allahut janë pak shumë.
Askush nuk ka pse t’i trembet idesë, të kësaj embleme, të këtij statusi të posaçëm të selisë së Kryegjyshatës Botërore, përkundrazi gjithkush duhet ta shohë si detyrim, për të mos e lënë të vdesë, por për t’ja garantuar vazhdimësinë e jetës, frymës së ngjizur në fletoren e Bektashinjve e shkruar nga Naim Frashëri dora vetë”, u shpreh kryeministri Rama.
Në fjalën e tij, Rama tha se: “kjo fletore është e shkruar si një amanet për çdo patriot shqiptar, dhe si një udhërrëfyes kuptimplotë për këdo që do të kuptojë pa u munduar fare. Në këtë rast këtë ua sugjeroj analistëve që përgjithësisht nuk duan të mundohen për të kuptuar, dhe ngaqë nuk kuptojnë pa u munduar flasin shumëçka që është për t’ju ridrejtuar Allahut me lutjen që të bëjnë derman edhe për mendjet e tyre”.
“Fletorja e Bektashinjve lexohet shpejt dhe t’i thotë të gjitha ato që ke nevojë, për të mos u ngatërruar dhe për të mos i vënë shkopinj nën rrota një karvani të cilit i ka ardhur koha të ndalet dhe të hapë këtë portë të shpëtimit dhe të prosperitet krah për krah me komunitetet e tjera për komunitetin bektashi”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama e mbylli fjalën e tij me një mesazh nga Haxhi Bektash Veliu.
“Rruga jonë është rruga e dashurisë, në këtë rrugë nuk ka ndarje, sepse Zoti është një dhe zemrat tona janë tempulli i tij”.