E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Më 11 maj shqiptarët në takim me historinë, përcaktohet fuqia e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, më 11 maj shqiptarët do të shkojnë në një takim me historinë për të përcaktuar fuqinë e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE.

Në një intervistë për A2 CNN, Rama u shpreh se, “më 11 maj shqiptarët nuk do të votojnë thjesht për 4 vitet e ardhshme në kuptimin cila parti do të bëjë ҫfarë, por do të shkojnë në një takim me historinë për të përcaktuar fuqinë që do të ketë Shqipëria në përballjen me procesin më sfidues ndonjëherë për shtetin shqiptar që është procesi i negociatave në BE, për të cilin ne kemi një afat, fundin e vitit 2027”.

Për herë të parë, theksoi Rama, “që nga rënia e komunizmit, BE na ka hapur derën dhe na ka ofruar që bashkërisht të mbyllim negociatat dhe ne të bëhemi anëtarë të BE-së”.

“Dera është hapur por ne nuk duhet ta lëmë të mbyllet dhe 11 maji do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë pikë”, tha Rama.

Rama theksoi se, “shkëputja nga e shkuara dhe sidomos shkëputja nga e shkuara jonë, si vend dhe si popull nuk është një moment është një proces dhe faktikisht zinxhirët e së shkuarës kanë qenë shumë të gjatë kur ne kemi marrë detyrën dhe sot ka mbetur një hallkë e fundit për t’u këputur dhe me hyrjen e Shqipërisë në BE e shkuara është përfundimisht e shkuar dhe e ardhmja bëhet e sotme”.

Ndër të tjera gjatë intervistës televizive, Rama tha se “sot kemi faktet përpara, nga një vend që kishte vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë, kemi një vend që ka 43 zona urbane, 98 zona rurale, ka 11 zona të tjera që janë sot që flasim në kantier dhe mbeten dhe 5 zona të fundit që i përkasin mandatit të katërt. Kështu që arsye pse këto lloj ngacmimesh që përdoren për të treguar që ky i ujit të pijshëm është zotim i pambajtur nuk funksionojnë, është se populli e di, e ka ujin në çezmë. Prandaj rezulton se shqiptarët mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur dhe siç e tregojnë sondazhet, ata votojnë masivisht Partinë Socialiste”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›