Vihen në pranga dy vëllezër, trafikonin drogë

OPERACIONI/ Gjin e Adrian Marku kanë përfunduar në pranga në një postbllok të policisë së Fierit. U sekuestrua një sasi prej 109,619 kg lëndë narkotike
FIER - Kanë përfunduar në pranga dy persona të akuzuar për "trafikim të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim", teksa është bllokuar një sasi prej 109,619 kilogramësh lëndë narkotike. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë, në rrugën nacionale Fier - Vlorë janë arrestuar shtetasit Gjin dhe Adrian Marku.
"Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda, më datë 05.05.2010 finalizuan me sukses operacionin antidrogë të koduar "Jaguari", në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: Gjin Ndue Marku, 29 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamëz Tiranë dhe Adrian Ndue Marku, 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamëz Tiranë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë ditën e mërkurë në rrugën nacionale Fier-Vlorë, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, me automjetin tip "Audi A3" ngjyrë gri me targë EN56BZD, ku nga kontrolli i mjetit të sipërpërmendur në bagazhin e tij u gjet dhe u bllokua një sasi prej rreth 109,619 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa" bëjnë të ditur burimet zyrtare të policisë.
Mësohet se kjo sasi lënde narkotike ishte vendosur në pesë çanta të zeza dhe ishte e ndarë në 99 copë paketime plasmasi dhe natribani. Si rrjedhojë nga ana e policisë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 109,619 kg lëndë narkotike, automjeti tip "Audi", katër aparate celulari, si dhe dokumente të ndryshme. Ndaj shtetasve Gjin Marku dhe Adrian Marku, vëllezër, është ngritur akuza e "trafikimit të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim".
Burime nga policia bënë të ditur se policia e Fierit është njoftuar për operacionin e koduar "Jaguari" në momentin e finalizimit të aksionit. Kur makina me të cilën po lëviznin dy vëllezërit ishte duke u futur në territorin e Fierit, është dhënë urdhër që uniformat blu të ndërhynin.
Postblloku për dy vëllezërit trafikantë është bërë në dalje të Fierit, përgjatë rrugës drejt Vlorës, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës. Në këtë vend është rrethuar makina, e cila ndiqej nga agjentët e antidrogës së Tiranës.
Fillimisht dy të arrestuarit janë çuar në mjediset e policisë së Fierit, ndërsa më pas janë dërguar në Tiranë. Edhe pse jo zyrtare, burime nga antidroga e Fierit tregojnë se ekziston dyshimi se vëllezërit Marku e kanë siguruar drogën në qarkun Fier. Ata janë nisur nga Tirana paraditen e së mërkurës.
Kanë ndaluar pak në Kamzë ku dhe banojnë, ndërsa më pas kanë marrë rrugën drejt perëndimit të vendit. Nga antidroga e Fierit, burime të besueshme të gazetës thonë se finalizimi i aksionit u krye në Fier, pasi aty u sigurua "lënda" e parë.