E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Me arsimin profesional, nxënësit punë të garantuar


TIRANË, 21 shtator/ATSH/- Në episodin e dytë të sezonit të tretë të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama vuri në fokus arsimin profesional, duke e quajtur edhe, “arsimi i të ardhmes.

Rama për të bashkëbiseduar me të, kishte të ftuara Anilën, drejtoresha e shkollës teknike-ekonomike dhe Anjën, maturante në shkollën “Gjergj Canco”, në drejtimin Teknologji dhe Informacion (TIK).

“Arsimi profesional është sot baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, apo Austrisë, dhe ndërkohë, është ende zonë jo shumë e kërkuar dhe ende e paragjykuar nga shumë prindër, të cilët mendojnë se në arsimin profesional ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsim të përgjithshëm”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri deklaroi se në vitet e fundit po kryhet një investim i madh në shkollat e arsimit profesional.

Ai u shpreh se po vihet theksi te konviktet. “Sepse është thelbësore që për ata nxënës që vijnë nga zonat rurale të mos u ofrohen më konvikte që nuk janë me kushte dinjitoze për fëmijët që duke ardhur në zona rurale vijnë nga familje me të ardhura më të ulëta dhe nuk mund ti lëmë të ndjehen si fëmijë të kategorisë së dytë“, u shpreh kryeministri.

Kjo, shtoi ai, “edhe për faktin se për shumë vite, arsimi profesional nuk ka qenë i gatshëm të bindë njerëzit me fuqinë e tij”.

Por, vijoi Rama, “është koha edhe për shkak të përmirësimeve që janë bërë, masave të marra, apo edhe për shkak të faktit se sidoqoftë sot ka më shumë informacion se sa kishte deri dje, dhe për të vërtetën se nxënësit e arsimit profesional, punësohen më lehtë dhe kanë një punë më të garantuar, është keqardhje të mos ketë më shumë shtysë drejt këtij arsimi”.

Anja thotë se arsimi profesional e kishte zgjedhur atë në kohën kur mbaroi provimet e lirimit, direkt pas COVID-it.

“Isha e pasionuar pas TIK, por nuk kisha dëgjuar për arsimin profesional dhe nuk kishte njerëz që flisnin për këtë drejtim”, tregon ajo.

Ndërsa drejtuesja e shkollës teknike –ekonomike, Anila tha se të gjithë e shohin arsimin profesional jo thjeshtë si një zgjidhje, por si një zgjedhje.

Ajo thekson se në shtator të 2023-shit, për fat të madh janë 300 nxënës të regjistruar për herë të parë në klasën e 10.

Por në vitin 2021 ishin vetëm 164 nxënës të regjistruar për herë të parë.

“Jemi të detyruar të vendosim edhe një lloj kriteri për ti pranuar, një lloj mesatareje. Kjo vjen pasi është maturuar në familje mendimi se përpara se të adresojnë fëmijën në arsimin e mesëm t’a mendojnë se cili nga tipologjitë e arsimit na jep të ardhura më të hershme dhe cili arsim edukon me etikën, frymën dhe dashurinë për punën dhe cili nuk e pengon në rritjen e vet profesionale në të ardhmen. Në këto 20 vite punë, kam kuptuar se mendësia e shoqërisë shqiptare ka ndryshuar gradualisht. U desh vakumi i punonjësve të kualifikuar që vet qeveria e sinjalizoi 10 vite më parë dhe tani erdhi momenti që u ndje mungesa e profesionistit, rrobaqepësit, elektricistit, hidraulikut, llogaritarit të mesëm, agjentit imobilar, etj. dhe këtu kuptuam se jo të gjithë duhet të dyndemi drejt universiteteve”, tha Anila.

Sipas saj, të parët ishin bizneset që trokitën në dyert e shkollës, ndërsa tani janë prindërit që kërkojnë një këshillim karriere për fëmijët e tyre. “Unë mendoj se rritja është jo shumë e shpejtë, por e qëndrueshme”, tha ajo.

Kryeministri foli dhe për pagat në arsim, por ngriti shqetësim edhe fuqizimin e sistemit dual.

“Me pagat 950 euro është moment i mirë dhe ne do të vijojmë ti rrisim më tej. Ajo që më shqetëson është pjesa e fuqizimit të sistemit dual”, deklaroi ai.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›