Rama: Misioni ynë të mos humbim orën vendimtare të Shqipërisë për anëtarësim në BE

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se misioni i qeverisë dhe i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në përmbylljen e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së zhvilluar me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe kryetarët e komisioneve parlamentare ku prezantoi dokumentin “Prania Besnike”, aneks i “Besës”, Rama tha se “misioni ynë do vazhdojë deri kur të mbarojë me vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e Europës së Bashkuar”.
“Unë jua kam thënë midis nesh dhe herë të tjera, mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohëqëndrim në pushtet. Më intereson vetëm për veprat që mbeten dhe për të mos e humbur në asnjë mënyrë orën vendimtare të Shqipërisë, përmbyllja e anëtarësimit në familjen e Europës së Bashkuar”, vuri në dukje Kryeministri.
Kreu i qeverisë u shpreh se “nëse nuk do të ishte urgjenca e përditshme e detyrave të panumërta të anëtarësimit, të cilat nuk presin as ditën, jo më javën, kaq e ngjeshur është agjenda e negociatave dhe kalendari i detyrave që ne duhet plotësojmë, si dhe nëse dera e hapur për herë të parë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, jo vetëm me fjalë si gjithmonë më parë, por konkretisht, nuk do të ishte kaq afër, me shumë gjasë do isha tërhequr me shumë mirënjohje të madhe në katundin tim të vogël pas 12 vjetëve të jetuara me mish dhe me shpirt në krye të detyrës më të lartë që vendi i jep një biri të tij dhe pas gjithë këtyre viteve në krye të Partisë Socialiste”.
“Sepse Shqipëria pas atyre 12 vjetëve të Partisë Socialiste në drejtim me punët e panumërta transformuese dhe përtej gjithë gabimeve dhe të metave u bë një Shqipëri aq tjetër nga ajo që morëm në kurriz kur e gjetëm në buzën e greminës së vitit 2013, saqë pa këtë orën e historisë në dyert e Europës mund të quhej me kokën lartë mision i përmbushur”, tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/