Tabaku: Të ketë transparencë mbi raportimet për konsullatë serbe në Shkodër

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot lidhur me raportimet në media se qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate të Serbisë në Shkodër, duke kërkuar transparencë mbi bazën ligjore dhe interesin shtetëror të këtij vendimi.
Në një postim në rrjetet sociale, Tabaku ngriti pyetjen nëse ka reciprocitet mes 54 serbëve dhe 61.000 shqiptarëve.
“Sipas raportimeve të medieve, Qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate serbe në Shkodër. Arsyet e këtij veprimi mbeten të paqarta, por nga sa është bërë publike, duket se qeveria socialiste ka pranuar një konsullatë serbe në Shkodër në këmbim të gatishmërisë së Beogradit për të lejuar një konsullatë shqiptare në Bujanoc”, tha Tabaku.
“Por këtu “dardha e ka bishtin prapa”, sepse shifrat tregojnë se nuk mund të flitet për reciprocitet demografik. Censi i vitit 2023 regjistron në qarkun e Shkodrës vetëm 54 banorë të deklaruar me përkatësi etnike serbe, ndërsa në të gjithë Shqipërinë janë 584. Ndërkohë, regjistrimi zyrtar i vitit 2022 në Serbi numëron 61 687 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pra, kemi një komunitet mbi 105 herë më të madh se numri i përgjithshëm i serbëve në Shqipëri dhe mbi 1140 herë më të madh se komuniteti serb në qarkun e Shkodrës”, nënvizoi Tabaku.
Prandaj, shtoi Tabaku, nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet gatishmërisë së Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës shqiptare për një konsullatë në Bujanoc dhe hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. Gatishmëria nuk është konsullatë e hapur dhe funksionale.
“Për më tepër, qeveria shqiptare nuk ka bërë publik ndonjë vlerësim që të dokumentojë një nevojë konkrete për shërbime të reja konsullore serbe në Shkodër. Përkundrazi, shqiptarët e Luginës së Preshevës vazhdojnë të ngrenë shqetësime për pasivizimin e adresave, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore dhe përdorimin e gjuhës shqipe. Reciprociteti nuk shpallet me deklarata. Ai provohet me të drejta të barabarta dhe masa konkrete”, nënvizoi Tabaku.
Tabaku bëri të ditur se “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet të bëjë publik vendimin, bazën ligjore, llojin e konsullatës, kandidaturën për konsull dhe interesin konkret shtetëror që justifikon hapjen e saj në Shkodër”.
“Diplomacia shqiptare nuk është oborri personal i Kryeministrit. Ajo duhet t’i shërbejë interesit kombëtar dhe qytetarëve shqiptarë”, tha Tabaku.
/k.s/r.e/