Çfarë është aktiviteti fizik dhe format e tij
Aktivitet fizik është çdo lëvizje trupore e prodhuar nga muskujt skeletorë, që kërkon shpenzime të energjisë. Pjesë e aktivitetit fizik janë: aktiviteti fizik i moderuar, aktiviteti fizik intensiv dhe ushtrimet. Aktiviteti fizik i moderuar është aktiviteti fizik që shkakton shtim të frymëmarrjes, të rrahjeve të zemrës, djersitje të lehtë dhe bashkëbisedim të qetë. Forma të tij janë disa sporte si: ping-pongu, lojërat e ndryshme, ecja e shpejtë ose vrapimi i ngadaltë, vallëzimi, kopshtaria, punët e shtëpisë etj. Aktiviteti fizik intensiv është aktiviteti fizik që shkakton frymëmarrje të rënduar, frymëmarrje të vështirësuar, rritje të shpeshtë të rrahjeve të zemrës, djersitje të shtuar dhe pothuajse është i pamundur bashkëbisedimi. Forma të tij janë sportet e ndryshme si: futbolli, basketbolli, volejbolli, vrapimi, ecja me biçikletë me shpejtësi, ecje apo ngjitje e shpejtë në lartësi, noti i shpejtë, kalërimi, tenisi etj. Ushtrimet janë një nëngrup i aktivitetit fizik, që përfshin lëvizjet e qëllimshme dhe të përsëritura, me qëllim për të forcuar shëndetin e kockave, forcën dhe fleksibilitetin e muskujve.