Rama: Mundësia e tërheqjes? Nuk ka iluzion më të gabuar
Të palëkundur për të vijuar protestën dhe të gatshëm për të gjetur kompromis. Ky është qëndrimi politik i opozitës, e cila prej 11 ditësh ka “themeluar” sheshin e grevës në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Fjala e Edi Ramës dje pasdite para protestuesve të ardhur nga Dibra, Berati dhe Tirana, ka bërë një hap përpara në përmbajtje, duke krijuar mundësi të reja teorike negocimi me palën tjetër. Pa hequr dorë për asnjë moment nga protesta dhe greva e urisë, kreu socialist është përpjekur që të japë disa mesazhe të moderuara, që kanë vlerë si të tilla deri më 14 maj. “...është dita për ta thënë se nuk mjafton të thuash se je gati për dialog, por se për çfarë dialogu je gati. Grevistët e kanë bërë publike platformën dhe ne kërkojmë që ato kërkesa të konsiderohen në funksion të një zhvillimi të ri, për mediat, drejtësinë. Jemi të gatshëm për dialog, por edhe të palëkundur për të vijuar protestën... Nuk ka iluzion më të gabuar sesa iluzioni se ne do të tërhiqemi”, ka deklaruar Edi Rama. Baza e dialogut për opozitën mbetet paketa e publikuar nga grevistët e urisë, e cila përmes fjalës së Ramës aktualizohet si draft diskutimi për shumicën. Një hap para drejt komunikimit politik, të zbritur në shinat e forcës, që përvijohet deri-diku edhe si një përgjigje ndaj “ftesave” të shumicës së djathtë, por edhe një lloj neutraliteti të pandryshueshëm të komunitetit europian. Një ide e asaj që do të ishte alternativa e pashtjelluar ende e dështimit të dialogut është dhënë nga kreu socialist përmes trajtimit të protestave që dje sollën bllokimin e disa rrugëve nacionale. Ndërhyrjet sporadike të policisë janë vlerësuar prej tij si shprehje e provokimeve të kësaj fundit, pasi sikurse deri më tani, tubimet e opozitës kanë qenë dhe mbeten paqësore. Në këtë kontekst, që duket sikur po e bën të prekshëm konfrontimin mes forcave policore dhe protestuesve, Edi Rama nuk ka munguar të bëjë një paralajmërim që adresohet sidomos në protestën e ditës së premte. “...ata qytetarë që kanë protestuar paqësisht të mos preken asnjë fije floku nga policia...në ato raste kur Policia e Shtetit ndërhyri në mënyrë krejt të panevojshme u krijuan situata të panevojshme. Dua ta theksoj që të jetë e qartë për të gjithë se manifestimet tona të protestës janë manifestime të një shpirti opozitar, që nuk jepet dhe që qëndron i palëkundur”, ka deklaruar Rama. Kësaj qëndrese si politike, ashtu edhe fizike me 100 grevistët e urisë të ngujuar prej 11 ditësh, i ka dhënë një jehonë tjetër fjala e aleatëve të Partisë Socialiste, që si përditë kanë folur nga podiumi i ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Ta zhdukim këtë otoman...këtë çallmaduk...Ky është otomani i fundit që na qeveris. Nuk ka rrugë tjetër për vizat e shqiptarëve, përveçse të zhdukim otomanin”, është shprehur Spartak Ngjela në një akuzë për orientalizëm të formuluar me një gjuhë shumë të fortë. Sulmet ndaj Kryeministrit, sulme që sintetizojnë në vetvete një histori 20-vjeçare politike, po ofrohen në protestë si nxitës të reagimit ndaj një orientimi regresiv të Sali Berishës në raport me aspiratat e Shqipërisë. Ky regjistër akuzash është plotësuar dje edhe me fjalën e deputetit Erjon Braçe, që ka preferuar argumentet ekonomike. “Ky është falimenti i dytë e Sali Berishës në 14 vjet”, ka deklaruar ai duke iu referuar krizës së piramidave. Në përgjigje të pretendimeve për sukses, ai ka bërë një krahasim të pagave mesatare të shqiptarëve që sipas shifrave të ofruara janë shumë më poshtë se ato të qytetarëve të të gjitha vendeve fqinj përfshirë edhe ato “të serbëve, aleatëve historikë të Berishës”, sikurse nënvizoi Braçe. Kështu pas 12 ditësh ngujimi, protesta e opozitës ka mbajtur në kontroll politik bulevardin kryesor të Shqipërisë, duke ngjyrosur atmosferën me fjalime të forta dhe gjuhë akuze. Formalisht kohëzgjatja e protestës po i jep sheshit të grevës një profil institucional për fjalën e një opozite që refuzon pjesëmarrjen në një Parlament që prej kohësh nuk miraton kërkesat e saj për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.
#