E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërmjetësimi, nën akuzë gjyqtarja dhe prokurori

Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet për çiftin Marsela Balili dhe Aleksandër Plepi. Nën akuzë, edhe i dënuari

Ish-kryegjyqtarja e Bandës së Lushnjës dhe bashkëshorti i saj prokuror në Tiranë janë vënë zyrtarisht nën akuzë për korrupsion. Njësia antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit ka përfunduar hetimet për bashkëshortët Marsela Balili dhe Aleksandër Plepi. Sipas kërkesës për gjykim, çështja penale mban numrin 338 të vitit 2009. Krahas çiftit që bënte pjesë në sistemin e drejtësisë, nën akuzë janë vënë edhe të pandehurit: Panajot Dhiamandi, Arben Veliko, Violanda Braka dhe Besnik Braka.

Disa javë më parë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me kërkesë të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, i ka hequr imunitetin gjyqtares së Krimeve të Rënda, Balili, pasi nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit, dyshohej se ishte implikuar në një aferë mitëmarrjeje së bashku me bashkëshortin e saj, Aleksandër Plepi, edhe ky i pezulluar nga detyra si prokuror në Tiranë. Burime zyrtare nga KLD-ja thanë në atë kohë se vendimi sjell lejimin për kryerjen e hetimeve nga Prokuroria e Rrethit të Durrësit, e cila ka regjistruar emrin e gjyqtares në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar asaj veprën penale të parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Nga hetimet e njësisë së Task-Forcës në Durrës ekzistojnë dyshime se gjyqtarja, duke bashkëpunuar me bashkëshortin e saj, prokurorin e pezulluar, Aleksandër Plepi, u kanë premtuar të afërmve të të dënuarit Besnik Braka, kundrejt një shume prej 50 mijë eurosh, uljen e dënimin. I akuzuari që po gjykohej për trafik droge kishte autorizuar familjarët e tij që të ndërmjetësonin në gjykatë e prokurori. Disa muaj më parë, Policia e Shtetit ndërmori operacionin e koduar “Ndërmjetësimi” dhe ekzekutoi masat e sigurimit “arrest në shtëpi” për Aleksandër Plepin, 35 vjeç, me arsim të lartë, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë e dy të tjerë. Ata u ndaluan për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit, e cila ka në dorë hetimet për këtë rast, është dokumentuar se shtetasit Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi kanë ndërmjetësuar nëpërmjet prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, Aleksandër Plepi, për të ulur dënimin e të arrestuarit Besnik Braka, i cili gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Këta shtetas i kanë ofruar prokurorit një shumë të konsiderueshme parash, përkatësisht 50 mijë euro, me qëllim që të ndërmjetësonte në gjykatë që t’i jepej një dënim i ulët shtetasit Besnik Braka. Sipas të dhënave të akuzës së Durrësit, Plepi është bashkëshorti i gjyqtares Marsela Balili. Nga të dhënat hetimore mësohet se gjatë shpalljes së vendimit, gruaja e prokurorit dënoi me 14 vjet burg dhe 300 mijë lekë gjobë të pandehurin Besnik Braka, 4 vjet më pak nga sa kërkoi prokurori gjatë konkluzioneve përfundimtare. Krahas shtetasve të sipërpërmendur, Prokuroria e Durrësit ka vënë nën akuzë Violanda Brakën, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe të burgosurin Besnik Braka i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe të funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›