E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pësë grevistë përfundojnë në spital

Situata Në ditën e 11 vazhdon rëndimi i gjendjes shëndetësore

Artmir Ahmetaj, 26 vjeç nga Tirana; Asllan Dogjani, deputeti i Qarkut të Kukësit; Astrit Agjami nga qyteti i Kukësit dhe Fatmir Kalemaj, mbi 50 vjeç nga qyteti i Patosit dhe Indrit Gjikondi nga Fieri janë grevistët që kanë braktisur vetëm ditën e djeshme çadrën që qëndron prej 11 ditësh para selisë së qeverisë. Ata e kanë çuar në 24 numrin e personave që janë detyruar të marrin trajtim mjekësor për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, duke paralajmëruar se greva e urisë po hyn në një fazë problematike. Shëndeti i pjesëmarrësve po del në sipërfaqe si një problem parësor, që përkundrejt debatit politik të ngritur mbi kërkesën e tyre qëndron realisht përtej ndarjes qeveri–opozitë. Një pasqyrë profesionale rreth situatës së krijuar pas ngujimit është sjellë para opinionit dje nga mjeku Sabit Brokaj, që asiston që prej fillimit 200 grevistët e urisë. “Gjendja e grevistëve është rënduar më shumë, të gjithë kanë shqetësime. Prej këtyre momenteve, rreziku është bërë evident dhe kjo dihet nga të gjithë. Me këtë rast desha t’i jap përgjigje Kryeministrit të Republikës, i cili është i shqetësuar nga mbi kujdesi. Mesa duket do që të mos ketë kujdes mjekësor e të ketë sakrifikim njerëzish, që ekipi mjekësor i cili punon me vetëmohim dhe nivel profesional të lartë, të cilët po vënë në zbatim një betim mijëra vjeçar, që është në të gjithë botën, ‘Betimi i Hipokratit’”, ka deklaruar Brokaj në prononcimin e tij para medias. Ai ka sqaruar se brenda çadrës së grevës së urisë janë disa të tjerë të cilëve u është këshilluar largimi për arsye shëndetësore, pasi gjendja paraqitet e rënduar. Ish-ministri i Mbrojtjes, tanimë mjek i grevës së urisë së Partisë Socialiste, nuk ka pranuar t’i bëjë publik emrat e atyre që janë në gjendje të rëndë, por që ende nuk i janë drejtuar spitalit. Mesazhet paralajmëruese të mjekut Brokaj, që i adresohen qeverisë dhe opinionit janë plotësuar me mesazhet politike të kryetarit socialist Edi Rama. Duke folur pas një vizite në QSUT, ky i fundit bëri të ditur edhe një herë këmbënguljen e opozitës në qëndrimet e veta dhe vullnetin për të mbetur deri në fund në kërkesat e shpallura publikisht. “Ne jemi të vendosur, ne jemi të palëkundur, ne jemi të pathyeshëm, në këtë rezistencë, e cila është një rezistencë paqësore për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë. Dhe nga ana tjetër, ne jemi në çdo orë të gatshëm t’i hapim rrugën zgjidhjes në funksion të interesit publik, në funksion të interesit të të gjithë shqiptarëve...”, ka deklaruar ai. Me 24 grevistë të dërguar në spital dhe me rreth 180 të tjerë që ende qëndrojnë në çadër, opozita duket se nuk ka ndërmend të lëshojë pe rreth kërkesave të saj politike, që me situatën e krijuar më shumë po formësojnë përpara shumicës në pushtet një ultimatum sesa një dritare kompromisi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›